Gjatë tetorit, në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin, ndërsa fushatat në Shqipëri ishin intensive, shqiptarët në Amerikë u bashkuan dhe dhuruan 10 mijë dollarë për blerjen e një aparati biosigurie për spitalin e Korçës. Kjo pajisje jetike shërben për përgatitjen e kurave të kimioterapisë.
Sipas shpjegimit, aparati aktualisht funksionon, por është shumë i vjetëruar dhe nuk garanton cilësi apo pastërti të përzierjeve.
Donacione për të gjithë repartin
Kjo organizatë bleu, me një fond prej 103 mijë dollarësh, të gjithë repartin e kimioterapisë të këtij spitali, përfshirë poltrona, respiratorë, monitorë dhe frigoriferë. Të gjitha këto pajisje duhet t’i kishte siguruar ministria e shëndetësisë.
“Po flasim për aparatura që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme, si në aspektin diagnostikues dhe parandalues, ashtu edhe në atë trajtues. Në disa raste ato kanë rëndësi jetike për pacientët dhe qytetarët shqiptarë”, u shpreh Bardh Spahia, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë.
Nevojat bazike të spitaleve
Ky është një tjetër fundraiser për blerjen e monitorëve për foshnjat, respiratorëve dhe shumë pajisjeve të tjera, të cilat, siç thekson vetë organizata, “do të ndihmojnë në shpëtimin e jetës së të porsalindurve në vendin tonë”. Ndonjëherë nevojat janë elementare dhe neglizhenca shumë e rëndë. Kjo ndodhi me një iktometër, aparat që mat verdhëzën e të porsalindurve pa prekje, i cili iu dhurua spitalit të Lushnjës. Pa këtë aparat, matja e verdhëzës bëhet me marrje gjaku nga vena e foshnjës, procedurë e dhimbshme. Siç dëshmon edhe vetë personeli, aparatura që kishin në dispozicion ishte 24 vjeçare.
Organizata thotë se ka kontribuar me 500 mijë dollarë për blerjen e aparaturave për spitalet publike në Shqipëri dhe ka ofruar asistencë për 200 pacientë me kancer.
Shpesh pajisjet e blera janë të thjeshta, por të domosdoshme, si motorë, aspiratorë, respiratorë apo EKG, një dëshmi e nevojave emergjente të spitaleve publike.
Pajisjet si infrastrukturë e heshtur
Pajisjet mjekësore janë infrastruktura e heshtur e çdo sistemi shëndetësor. Ato janë elementi kyç për vendosjen e një diagnoze të saktë. Pa to nuk ka as kirurgji të sigurt, as trajtim modern.
“Shëndetësia kaloi nga një sistem ku diagnostikimi ishte vetëm në dorë të mjekut, tani jemi në fazën e diagnostikimit të bazuar në teknologjinë mjekësore. Teknologjia mjekësore ka rëndësi thelbësore për cilësinë e diagnostikimit dhe për efektivitetin e kostos”, u shpreh Qamil Dika, pedagog i organizimit shëndetësor.
Varësia nga donacionet
Varësisë nga donacionet nuk i ka shpëtuar as QSUT, institucioni më i rëndësishëm publik. Ky institucion kishte një rubrikë të veçantë, ku u kërkohej qytetarëve të kontribuonin për të rritur cilësinë e shërbimeve, duke filluar nga mikroskopët. Aktualisht kjo rubrikë është mbyllur pas debatit publik që shkaktoi ky lajm. Megjithatë, Inside Story ka arritur të ruajë disa njoftime ku kërkohet ndihmë për blerjen e aparaturave të ndryshme.
Burimi: top-channel.tv










