Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Tomini flet për buxhetin 2027 në shëndetësi

Tomini flet për buxhetin 2027 në shëndetësi
Foto: euronews.al

Në projektbuxhetin e vitit 2027, sektori i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale parashikohet të ketë një fond total prej 178 miliardë lekësh, ndërsa vetëm për shëndetësinë ka një rritje prej 6.1 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë, duke vënë theksin te barnat onkologjike dhe investimet në QSUT.

Ku do të orientohen fondet

E ftuar në Euronews me gazetarin Thimi Samarxhiu, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, ka shpjeguar se ku do të orientohen këto fonde. Ajo theksoi se rritja financiare synon rritjen e efektivitetit dhe parandalimit përmes autonomisë financiare të QSUT-së, zgjerimit të skemës së vaksinimit për fëmijët, kalimit të tre koncesioneve në sistemin publik pa kufizim moshe për check-up-in, si dhe fuqizimit të rolit të mjekut të familjes për të reduktuar fluksin në spitale.

“Do të bëjmë gërshetimin e efektivitetit të fondeve drejt një menaxhimi më të mirë të rasteve dhe menaxhimit shëndetësor. Mos harrojmë se gjatë këtij viti ka fituar autonominë financiare Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.

Menaxhimi financiar i të ardhurave, pra buxheti i dedikohet Qendrës Spitalore Universitare dhe ka një menaxhim në detaje, në qelizë të çdo shërbimi, në varësi të buxhetit që ka.

Ka një rakordim, një dakordësim dhe mbikëqyrje me Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, por ndërkohë i gjithë buxheti do të menaxhohet brenda shërbimeve që qendra më e madhe spitalore në vend do të menaxhojë jo vetëm administrativisht, por edhe financiarisht. Ky është një lehtësim që i jep akses më të mirë bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe bashkëpunimeve vendase.

Vizioni i parandalimit

Rritja e buxhetit është 4.2% krahasuar me buxhetin e vitit 2026 dhe, sigurisht, shëndetësia merr një pjesë të mirë të buxhetit total të qeverisë shqiptare, rreth 12.1% të buxhetit të përgjithshëm. Sigurisht që, me këtë këndvështrim, me sa më shumë efektivitet dhe menaxhim korrekt, shkojmë drejt vizionit të parandalimit në disa shtylla të buxhetit financiar.

Shkojmë drejt 180.000 fëmijëve në drejtim të vaksinimit sipas kalendarit kombëtar, rishikimit të skemës së kalendarit kombëtar, duke përfshirë vajzat dhe djemtë me vaksinën ndaj HPV-së, pra kundër kancerit të qafës së mitrës. Minimizojmë kështu, për vitet e ardhshme, shfaqjen e formave parakanceroze.

Shkojmë më pas drejt vijimit të politikës për fishat e diabetit për të gjithë të sëmurët me diabet dhe, ndërkohë, fokusi te mosha e tretë, pa diskutim. Një risi është kalimi i tre koncesioneve brenda këtij viti në sistemin publik. Check-up pa kufizim moshe, pra nga 35 vjeç e sipër.

Roli i mjekut të familjes

Një objektiv tjetër i rëndësishëm është fuqizimi i rolit të mjekut të familjes, që do të thotë se mjeku i familjes, siç e thotë edhe vetë emri, do ta ndjekë pacientin në vijimësi dhe do të krijojë mundësinë e ndjekjes së sëmundjeve te popullata e synuar që ai ndjek. Kjo do të bëjë të mundur uljen sa më të ndjeshme të referimeve drejt qendrave spitalore”, u shpreh zv.ministrja.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha