521 mjekë janë të papunë, deklaron Oda e Mjekëve të Kosovës, sipas të dhënave që ajo posedon.
Kështu ka deklaruar OMK për Gazetën Express, si përgjigje ndaj pyetjeve të parashtruara lidhur me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili pak ditë më parë tha se vetëm gjatë vitit të kaluar 171 mjekë janë kthyer në Kosovë.
Numri i mjekëve të kthyer
Kur u pyet sa mjekë janë kthyer në Kosovë gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti, OMK tha se, sipas të dhënave të periudhës 2018–2026, rreth 40 mjekë janë pajisur me Certifikatën e së Kaluarës Etike dhe Profesionale, duke deklaruar se ushtronin veprimtarinë e tyre jashtë Kosovës, ndërsa pas disa vitesh janë kthyer në vend.
Oda shton se shumica e tyre janë të punësuar në sektorin privat.
Sipas OMK-së, këta mjekë janë të identifikuar në regjistrat e Odës me emër dhe mbiemër. Për pjesën tjetër të mjekëve që, sipas deklarimeve, janë kthyer, OMK i rekomandon gazetës t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë, pasi mund të bëhet fjalë edhe për mjekë me shtetësi të huaj, të cilët licencohen nga ministria.
Largimi i mjekëve dhe certifikatat e lëshuara
Si indikator për trendin e largimit të mjekëve nga vendi, OMK përdor numrin e Certifikatave të së Kaluarës Etike dhe Profesionale të lëshuara. Kjo certifikatë shërben si dokument bazë për anëtarët që synojnë të punësohen jashtë vendit. Gjatë periudhës 2018–2026, numri i certifikatave të lëshuara është gjithsej 1181.
Bazuar në vetëdeklarimet e anëtarëve ndër vite, rezulton se rreth 600 mjekë janë të punësuar në Gjermani. Sipas të dhënave të Odës, aktualisht janë gjithsej 521 mjekë të papunë.
Specializantët
Për sa i përket specializantëve, OMK tha se nuk rezulton të ketë specializantë të papunë, pasi specializimi nënkupton angazhimin e tyre në procesin e specializimit, përkatësisht në ushtrimin dhe avancimin e mëtejshëm profesional.
Reagimet ndaj deklaratës së Kurtit
Deklarata e Kurtit për kthimin e mjekëve ka ngjallur reagime të shumta. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i ka kërkuar qeverisë “që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës”.
Burimi: insajderi.org










