TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Prodhimi vendas i duhanit rrezikon të dalë nga tregu nëse miratohen ndryshimet e propozuara në paketën fiskale 2027 për rritjen e akcizës, ndërsa investimet mbi 6 milionë euro dhe përpjekjet për formalizimin e sektorit mund të preken negativisht. Paralajmërimin e bëri avokati Sajmir Laçej, përfaqësues i sektorit të prodhimit të duhanit, gjatë dëgjesës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
Kundërshtimi ndaj akcizës së duhanit të grirë
Laçej kundërshtoi rritjen e parashikuar të akcizës për duhanin e grirë, duke argumentuar se projektligji krijon një diferencë të pajustifikuar mes ritmit të taksimit të këtij produkti dhe atij të cigareve. Sipas tij, ndërsa akciza për cigaret parashikohet të rritet me 2 deri në 5% në vit, për duhanin e prodhimit vendas ajo mund të arrijë gati trefishin e nivelit aktual deri në vitin 2033.
“Për shkak se duhani i grirë që përdoret nga një fashë e caktuar konsumatorësh zë një peshë të papërfillshme në totalin e produkteve të duhanit, rreth 1,7% për produktin vendas dhe rreth 2% për atë të importit, gabimisht, akciza për prodhimin vendas është propozuar të trefishohet në harkun e gjashtë viteve”, deklaroi Laçej.
Ai theksoi se projektligji synon përafrimin me Direktivën 2011/64/KE të Bashkimit Evropian, e cila parashikon një nivel minimal akcize prej 60 eurosh për kilogram për duhanin e grirë hollë. Ndërkohë, sipas tij, skema e propozuar parashikon arritjen e 113 eurove për kilogram, duke e çuar taksimin shumë më lart se niveli minimal i përcaktuar në direktivë.
Sipas përfaqësuesit të sektorit, edhe raporti mes akcizës së duhanit të grirë dhe cigareve duhet të rishikohet, pasi produktet me nivele të ndryshme përpunimi nuk mund të trajtohen njësoj nga pikëpamja fiskale.
“Produktet që kanë një nivel më të ulët përpunimi nuk mund të taksohen njësoj me ato që kanë një nivel më të lartë përpunimi, siç janë cigaret. Kjo është e verifikueshme edhe në direktivën e BE-së, ku raporti midis nivelit të akcizës për duhanin e grirë hollë dhe cigaret është 1 me 2”, u shpreh Laçej.
Formalizimi i sektorit dhe investimet
Ai vuri në dukje se në Shqipëri sektori ka kaluar një proces formalizimi gjatë pesë viteve të fundit, përmes organizimit të fermerëve, krijimit të qendrave të grumbullimit, tharjes dhe përpunimit, si dhe investimeve private në teknologji dhe pajisje moderne.
Sipas Laçej, disa biznese kanë investuar mbi 6 milionë euro në makineri dhe pajisje, kanë marrë me qira rreth 150 hektarë tokë shtetërore në zonat e Cërrikut dhe Shkodrës dhe kanë lidhur kontrata furnizimi me qindra fermerë. Ai tha se këto investime janë kryer me miratimin e institucioneve përgjegjëse dhe në mbështetje të strategjisë për formalizimin e prodhimit vendas.
“Disa biznese kanë investuar miliona euro në këtë sektor, duke blerë makineri moderne. Tani, pa pritur, këto biznese rrezikojnë të dalin nga tregu, sepse barazimi i nivelit të akcizës së duhanit me atë të cigareve i bën të pakonkurrueshme”, deklaroi ai.
Laçej bëri të ditur se sektori i formalizuar ka arritur të rrisë prodhimin me rreth 20% në vit gjatë pesë viteve të fundit, por paralajmëroi se rritja e fortë e akcizës mund të ndërpresë këtë ecuri dhe të çojë në humbjen e rezultateve të arritura.
Në këtë kuadër, ai kërkoi rishikimin e masave të propozuara, në mënyrë që përafrimi me legjislacionin evropian të mos cenojë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas dhe sigurinë juridike të bizneseve që kanë investuar në këtë aktivitet.
Shqetësimet e industrisë
Në vijim, kreu i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, ngriti shqetësimin se industria po përballet me presion të shtuar nga kostot e prodhimit, kursi i këmbimit dhe barra administrative, ku theksoi se “për të tretin vit radhazi industria po shënon rënie të peshës së saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto”.
Shkodra bëri të ditur se sektori përfaqëson mbi 8 mijë ndërmarrje dhe rreth 120 mijë të punësuar, por pavarësisht këtij kontributi, industria po humbet peshë në ekonomi.
Sipas tij, zhvillimi industrial në vend mbetet pas vendeve të rajonit, ndërsa eksportuesit janë ndikuar veçanërisht nga forcimi i Lekut dhe rënia e euros, që kanë vështirësuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet e huaja.
Ai nënvizoi se kostot e prodhimit janë rritur edhe për shkak të krizave të njëpasnjëshme, ndërsa detyrimet që lidhen me integrimin evropian dhe standardet e reja shtojnë presionin mbi bizneset.
“Taksa europiane për një sërë industrish, që nga alumini dhe çeliku, si dhe standardet e sigurisë ushqimore dhe mjedisore, i janë shtuar kostove të prodhimit”, u shpreh Shkodra.
Tatimet dhe TVSH-ja
Duke komentuar ndryshimet e propozuara në paketën fiskale 2027, ai vlerësoi reflektimin e qeverisë për të mos rritur tatimin mbi fitimin në 17%, por për ta mbajtur atë në nivelin 15%. Megjithatë, ngriti shqetësimin për rritjen me një pikë përqindjeje të TVSH-së për produktet që nuk përfshihen në shportën bazë, duke argumentuar se kjo do të reflektohet në çmimet për konsumatorët.
“Rritja e TVSH-së do t’i kalojë konsumatorit, pasi do të rriten çmimet”, argumentoi ai.
Ndërkohë, Shkodra vlerësoi uljen e TVSH-së në 6% për produktet ushqimore, duke e konsideruar një masë që mund të ndikojë në uljen e çmimeve. Megjithatë, sipas tij, mbetet e nevojshme qartësimi i listës së produkteve që do të përfitojnë nga kjo normë tatimore.
e.xh/j.p/
Burimi: ata.gov.al










