Leku forcohet ndaj euros dhe dollarit gjatë 2026-ës
TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Leku ka vijuar të forcohet ndaj euros gjatë vitit 2026, duke e çuar kursin mesatar të këmbimit në 91,9 lekë për euro në shtator, nga 94,8 lekë në qershor. Sipas Bankës së Shqipërisë, mbiçmimi vjetor i monedhës vendase ndaj euros arriti në 4,7% në tremujorin e tretë, nga 3,2% në tremujorin paraardhës.
Në raportin tremujor të Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë bën të ditur se kjo prirje vijoi edhe në tetor, kur kursi euro/lek zbriti në 91,4 lekë, duke shënuar një mbiçmim vjetor të Lekut prej 5,5%.
Edhe ndaj dollarit amerikan, monedha vendase ruajti prirjen e forcimit gjatë tremujorit të tretë, ndonëse kursi shfaqi luhatje më të theksuara, të ndikuara nga zhvillimet e euros kundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare. Kursi mesatar dollar/lek zbriti në 80,7 lekë, nga 82 lekë në tremujorin e dytë, ndërsa mbiçmimi vjetor i lekut ndaj dollarit rezultoi 3,2%.
Gjatë muajit tetor, megjithatë, kursi dollar/lek u rrit në 81,5 lekë, duke reflektuar një nënçmim të Lekut ndaj monedhës amerikane, ndërsa niveli i tij mbeti 2% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Presionet e forcimit dhe bilanci i pagesave
Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet për forcimin e lekut janë shfaqur më të forta gjatë vitit 2026, të mbështetura nga përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe rritja e ofertës së valutës në tregun vendas.
Të dhënat e bilancit të pagesave për tremujorin e dytë tregojnë se deficiti ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto zbriti në 1,4%, nga 3,9% një tremujor më parë dhe 4,2% në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, investimet e huaja direkte neto u rritën me 115%, duke kontribuar në shtimin e valutës në ekonominë shqiptare.
Gjendja e tregut valutor
Sipas bankës qendrore, tregu valutor ka vijuar të funksionojë me parametra normalë tregtimi, ndërsa luhatjet e kursit dhe diferencat mes çmimeve të blerjes e shitjes kanë mbetur brenda intervaleve normale. Rritja vjetore e vëllimit të tregtimit të valutës u përshpejtua në 26% në tremujorin e tretë, nga 21% në gjysmën e parë të vitit.
Banka e Shqipërisë thekson se zhvillimet në tregun valutor janë ndikuar nga flukset e shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe prania e saj në treg, ndërsa forcimi i monedhës vendase reflekton rritjen e ofertës së valutës në ekonomi.
/e.xh/j.p/
Burimi: ata.gov.al










