Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

The Empress përmbyll historinë me sezonin e tretë

The Empress përmbyll historinë me sezonin e tretë
Foto: kultplus.com

Seriali historik gjerman “The Empress” ka arritur sukses ndërkombëtar, duke tërhequr publikun përtej kufijve të Evropës dhe historisë së ish-Perandorisë Austro-Hungareze. Dy sezonet e para u renditën në Top 10 të Netflix-it në më shumë se 85 shtete, ndërsa sezoni i tretë dhe i fundit shënon përmbylljen e kësaj historie televizive.

Seriali sjell në ekran jetën e perandoreshës Elisabeth, e njohur si Sisi ose Sissi, dhe bashkëshortit të saj, perandorit Franz Joseph I, dy figura të rëndësishme të historisë së dinastisë Habsburge. Në rolet kryesore interpretojnë Devrim Lingnau Islamoğlu dhe Philip Froissant, të cilët kanë fituar njohje ndërkombëtare falë këtij produksioni.

Historia e çiftit perandorak

Ngjarjet zhvillohen në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe bazohen në jetën e vërtetë të çiftit perandorak. Elisabeth, e cila u vra në një atentat nga një anarkist, paraqitet si një grua që, pavarësisht ndrojtjes dhe vështirësive personale, përpiqet të mbrojë bindjet e saj politike dhe të gjejë identitetin përtej rolit mbretëror.

Interesi për personazhin e Sisit nuk është i ri. Ajo është portretizuar ndër vite në disa produksione filmike, përfshirë trilogjinë e famshme “Sissi” me Romy Schneider në vitet 1950, si dhe filmin “Corsage” të vitit 2022, ku rolin e saj e interpretoi Vicky Krieps.

Reagimet e shikuesve

Suksesi i serialit ka qenë i veçantë edhe për krijuesit e tij. Skenaristja dhe producentja ekzekutive Katharina Eyssen ka treguar se fillimisht kishte dyshime nëse historia e Sisit duhej rrëfyer sërish, por reagimet nga shikuesit në Ukrainë, Iran dhe vende afrikane e kanë prekur thellë. Sipas saj, shumë prej tyre i kanë shkruar duke i treguar se personazhi u kishte dhënë shpresë, lehtësim apo momente gëzimi.

Kostumet, paruket dhe xhirimet

Përtej historisë dhe interpretimeve, produksioni është dalluar edhe për përkushtimin në rikrijimin e atmosferës së oborrit perandorak. Vetëm personazhi i Sisit ka pasur 88 kostume të ndryshme gjatë tri sezoneve, shumica të qepura me dorë. Për kastin kryesor janë përgatitur 23 paruke, ndërsa për dy sezonet e fundit janë përdorur rreth 8 mijë qirinj.

Në realizimin e skenave madhështore, si dasmat, kurorëzimet dhe ceremonitë publike, kanë marrë pjesë rreth 2 mijë aktorë në role dytësore dhe si figurantë.

Një pjesë e xhirimeve është realizuar në një kështjellë në Bavari, megjithëse shumë shikues kanë udhëtuar drejt Austrisë për të vizituar vendet historike të lidhura me Sisin dhe Franz Josephin, duke menduar se aty ishte xhiruar seriali.

“The Empress” ka dëshmuar se historitë e figurave historike mund të gjejnë jehonë përtej kohës dhe kufijve, ndërsa sezoni i tretë pritet t’i japë fund rrëfimit televiziv për një nga çiftet më të njohura të historisë evropiane./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha