Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Kostoja e punës në Shqipëri u rrit me 42,9% që nga viti 2020

Kostoja e punës në Shqipëri u rrit me 42,9% që nga viti 2020
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Punëdhënësit përballuan kosto më të larta për fuqinë punëtore gjatë vitit 2024. Shpenzimi mesatar për një orë pune arriti në 559 lekë, nga 391 lekë në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 42,9%, sipas Anketës së Kostos së Punës të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Sipas INSTAT-it, kostoja mesatare mujore për një njësi pune me kohë të plotë arriti në 98 561 lekë, ndërsa në terma vjetorë shpenzimi për punëdhënësin ishte 1 182 734 lekë. Krahasuar me vitin 2020, kostoja mujore është rritur me 29 600 lekë.

Struktura e shpenzimeve

Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve lidhet drejtpërdrejt me pagesën e punonjësve. Pagat, shpërblimet dhe shtesat zënë 85,5% të kostos totale, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi përbëjnë 14,3%. Vetëm 0,2% shkon për trajnime profesionale dhe shpenzime të tjera të lidhura me punësimin.

Dallimet sipas sektorëve dhe madhësisë së biznesit

Të dhënat tregojnë se niveli i kostos ndryshon ndjeshëm nga një sektor në tjetrin. Aktivitetet financiare dhe të sigurimeve kryesojnë me 1 066 lekë për orë pune, të ndjekura nga informacioni dhe komunikacioni me 844 lekë dhe industria nxjerrëse me 836 lekë.

Kosto më të ulëta regjistrohen në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 377 lekë për orë, si dhe në industrinë përpunuese, me 398 lekë. Në ndërtim, një sektor me peshë në ekonominë shqiptare, kostoja mesatare ishte 450 lekë për orë.

Edhe madhësia e biznesit ndikon në shpenzimet për punonjësit. Ndërmarrjet me 10 deri në 49 të punësuar kishin një kosto mesatare prej 480 lekësh për orë, ndërsa ato me 1 000 e më shumë të punësuar regjistruan 685 lekë.

Fuqia punëtore

Në ndërmarrjet jo-bujqësore të përfshira në anketë, numri mesatar i të punësuarve me pagë ishte 397 328 gjatë vitit 2024. Pjesa dërrmuese, 99,49%, punonin me kohë të plotë, ndërsa 0,47% me kohë të pjesshme dhe 0,04% ishin praktikantë.

Anketa e Kostos së Punës zhvillohet çdo katër vjet nga INSTAT dhe përfshin ndërmarrjet jo-bujqësore me të paktën 10 të punësuar me pagë. Ajo mat të gjitha shpenzimet e punëdhënësit për fuqinë punëtore, përfshirë pagat, kontributet dhe kostot e tjera të punësimit.

/e.xh/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha