Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Shoqatat e transportit kundërshtojnë rritjen e TVSH-së për biletat

Shoqatat e transportit kundërshtojnë rritjen e TVSH-së për biletat
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Përjashtimi i transportit publik nga rritja e TVSH-së dhe përfshirja në skemën e normës së reduktuar prej 6% janë disa nga kërkesat e shoqatës së transportit qytetës dhe ndërqytetës, në kuadër të diskutimeve për Paketën Fiskale 2027.

Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se rritja e TVSH-së nga 20% në 21%, e parashikuar të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, do të ndikojë në çmimin e biletave dhe kostot e operatorëve.

Kërkesat e sektorit në Komisionin parlamentar

Gjatë dëgjesës në Komisionin parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetës, Kostandin Foni, argumentoi se çmimi i biletës nuk përcaktohet nga operatorët sipas kushteve të tregut, por miratohet me vendim të këshillave bashkiakë. Për këtë arsye, çdo ndryshim i normës së TVSH-së kërkon edhe rishikimin e formulës së çmimit përfundimtar.

Sipas Fonit, aplikimi i normës së reduktuar prej 6% do t’u krijonte operatorëve më shumë mundësi financiare për investime në flotën e autobusëve dhe rinovimin e mjeteve. Ai theksoi se edhe legjislacioni evropian lejon norma të reduktuara për transportin e udhëtarëve, ndërsa në vendet e rajonit aplikohen norma më të ulëta dhe në Kosovë biletat e transportit janë të përjashtuara nga TVSH-ja.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, i cili kërkoi që sektori të trajtohet me norma të reduktuara, në përputhje me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian.

“Duke qenë se transporti publik është një shërbim që përdoret nga shtresat e mesme, kërkojmë që edhe vëmendja e institucioneve ndaj këtij sektori të jetë në përputhje me rëndësinë që ai ka”, u shpreh Memaj.

Pragu i regjistrimit dhe taksa e qarkullimit

Ai tha se ulja e pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë do të përfshijë automatikisht në skemë rreth 90% të subjekteve që operojnë në transportin ndërqytetës. Sipas tij, kjo masë do të shtojë barrën fiskale për operatorët, ndërsa ndikimi në të ardhurat e përgjithshme të sektorit do të mbetet i kufizuar edhe në rast të uljes së informalitetit.

Një tjetër çështje e ngritur nga përfaqësuesit e transportit lidhet me ndryshimet në taksën e qarkullimit dhe transferimin e saj te taksa e mjeteve. Memaj vlerësoi se këto ndryshime nuk sjellin ulje të ndjeshme të kostove për operatorët dhe kërkoi që efektet e tyre të rishikohen duke marrë parasysh specifikat e transportit publik.

/e.xh/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha