Analisti Endri Tafani, i ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania, ka folur për zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Ai u shpreh se me një Kongres dhe një Senat demokrat, presidenti i ri amerikan, nëse do të jetë republikan, do të jetë i kufizuar në vendimmarrjen për emërime të ndryshme.
Zgjedhjet e ardhshme dhe rasti i republikanëve
Sipas Tafanit, në zgjedhjet e ardhshme rasti më i mirë për republikanët është fitimi i presidencës. Ai theksoi se me fitoren e një presidenti republikan, partia do të mund të ngushtonte diferencat në Senat dhe në Kongres.
“Po ato vende që janë bastione të demokratëve, dhe është shumë e vështirë të përmbysësh Senatin. Njëkohësisht, është shumë e vështirë të përmbysësh Kongresin. Kongresi rinovohet çdo dy vjet. Pra, në zgjedhjet që do të jenë në 2028-ën, për president, Kongresi është i sigurt, të paktën me këto shifra që janë deri tani, që nuk përmbyset.
Kështu që në 2028-ën do të kesh një Kongres demokrat dhe një Senat demokrat, pavarësisht se kush është presidenti, dhe kjo e pengon presidentin në atë që do të kryejë, sepse pavarësisht se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekzekutivi ka ekskluzivitetin, sidomos të politikës së jashtme dhe të qeverisjes.
Kufizimet e presidentit për emërimet
Duhet të kesh parasysh që çdo emërim i lartë, çdo sekretar shteti, duhet të kalojë nga Senati. Pra, në qoftë se ti nuk merr miratimin e Senatit, nuk bëhesh dot ministër, po themi sekretar shteti. Kështu që edhe një president republikan që mund të vijë do të jetë jashtëzakonisht i kufizuar, po themi, nga kjo super-mazhorancë demokrate.
Kjo do të bëjë që edhe në drejtim të politikës së jashtme, presidenti i ri të jetë, si të thuash, i kufizuar. Për shembull, një president amerikan republikan, në qoftë se zgjidhet në 2028-ën me një Kongres dhe Senat me mazhorancë demokrate, do të detyrohet që ministrat e tij të jenë figura kompromisi.
Rasti më i mirë për republikanët është që të fitojnë presidencën, dhe të ngushtojnë diferencat që ekzistojnë në Senat dhe në Kongres”, tha ai, ndër të tjera.
Burimi: euronews.al










