Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Komisionet hetimore: llogaridhënie apo mjet politik?

Komisionet hetimore: llogaridhënie apo mjet politik?
Foto: albeu.com

Në legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës është krijuar vetëm një komision hetimor parlamentar, i cili po shqyrton veprimet dhe mosveprimet në rastin e Arlinda Zekajt.

Gjatë mbledhjeve të këtij komisioni është theksuar se raporti përfundimtar duhet të mbështetet në fakte dhe të mos ndikohet nga qëndrimet politike.

Sipas legjislacionit në fuqi, komisioni hetimor përgatit një raport dhe ia dorëzon atë Kuvendit. Në rast se raporti evidenton elemente të një vepre penale, ai përcillet në Prokurori.

Rasti i ish-drejtorit të AKI-së

Një prej rasteve kur pas raportit të një komisioni hetimor është ngritur aktakuzë lidhet me ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, për dëbimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Vlerësimet për komisionet e mëparshme

Megjithatë, ndër vite në Kuvendin e Kosovës janë ngritur dhjetra komisione hetimore për çështje të ndryshme, ndërsa nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se pjesa më e madhe e tyre nuk e kanë përmbushur qëllimin për të cilin janë krijuar.

Hulumtuesi i IKD-së, Melos Kolshi, thekson se këto komisione duhet të trajtohen si mekanizma me rëndësi për qytetarët dhe për vetë Kuvendin, e jo si mjete të agjendave politike.

“Komisionet hetimore nuk duhet të shihen si çështje politike apo çështje me të cilat duhet që të udhëhiqen nga agjendat politike por duhet të shihen si çështje me interes të veçantë qytetare e po ashtu me interes të veçantë të Kuvendit. Por kemi pasur edhe shumë komisione hetimore që janë krijuar e më pas ka dështuar funksionimi i tyre..”, ka theksuar Melos Kolshi – Hulumtues në IKD.

Edhe analisti Shemsi Jashari shprehet se në shumë raste komisionet hetimore nuk kanë sjellë rezultate konkrete për zgjidhjen e problemeve që kanë qenë arsyeja e themelimit të tyre.

“Më shumë përdoren për efekt të menjëhershëm politik e publik për të amortizuar një cështje se sa të ketë efektin ligjor të tyre e kemi pas rast edhe kur komisionet hetimore parlamentare nuk kanë arritur të kryejnë punën e tyre ata që kanë qenë në qeveri kanë bojkotuar dhe nuk kanë lejuar që kjo punë të kryhet.”, ka deklaruar ai.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha