Ka disa kohë që zhvillohet debati se pse Sali Berisha, Arlind Qori, komponentët e tjerë të opozitës, qoftë dhe njerëzit e mazhorancës, e mbështetën aksionin e dhunës që dogji Tiranën, apo nuk u distancuan.
Interpretimet për këtë janë të shumta. Hipotezat kanë cekur lidhje, arsye, inate, pritshmëri dhe mjaft arsye të tjera që mund të kenë motivuar këto qëndrime.
Çfarë përfitimi politik kishin?
Megjithatë, pyetja kryesore që pak bëhet është: çfarë përfitimi politik kanë të gjithë këta aktorë e faktorë që e mbështetën djegien e Tiranës?
Sa pikë fituan, dhe sa mund të fitojnë në të ardhmen? Sot, Edi Rama, kreu i mazhorancës, mund të dalë me një qëndrim të fortë përpara një objekti të djegur dhe të mbajë një fjalim eksploziv, që mund të sjellë një efekt thuajse atomik për të gjithë këta faktorë e aktorë në aspektin politik. Këtë e tregojnë edhe sondazhet, por edhe fakti që qytetarët e Tiranës u distancuan menjëherë, drastikisht, nga këta faktorë, madje edhe nga disa pjesëtarë të këtyre formacioneve.
Pse e bënë, kur nuk mund të fitonin politikisht?
Në këtë rast shtrohet pyetja tjetër: pse e bënë të gjithë këta që e mbështetën apo duartrokitën dhunën, kur nuk mund të fitonin politikisht? Në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, çdo kandidat i opozitës, edhe më i moderuari midis tyre, Ilir Alimehmeti, nëse vendoset nga PD, do të ketë në këmbë peshën e djegies së Tiranës, dhe nuk do të ecë lirshëm me të.
Duket se e gjitha kjo nuk ka ndodhur kot, edhe pse duket sikur janë çmendur të gjithë. Të çmendur, skena laramane e protestës ka mjaft, dhe shumë prej tyre na dalin përnatë në televizione.
Megjithatë, aktorët dhe faktorët politikë që e mbështetën këtë aksion nuk rrëshqitën si në atë videon ku një nënë thotë për djalin: “Ka ikur nga mendorja, është budalla!”, duke e bërë këtë natyrisht për ta shpëtuar të birin me ndjesinë e nënës.
Shpjegimi gjeopolitik
Shpjegimi më i zakonshëm i gjithë kësaj është se të gjithë kanë pritur që për këtë aksion apo qëndrim të marrin shpërblime nga aktorë të mëdhenj jashtë Shqipërisë, që i kanë shtyrë këto operacione.
Nëse këto operacione do të arrinin objektivin e duhur, mund të sillnin një përzierje, ose më saktë një trazim, të zhvillimeve në vend. Ato janë më shumë gjeopolitike se sa politike: duke nisur nga ngadalësimi i procesit të integrimit në BE, nga samiti i NATO-s që zhvillohet në Tiranë, deri te bllokimi i projekteve të mëdha të investimeve në turizëm dhe infrastrukturë, e kështu me radhë. Ndërkohë vendi niste një kalvar të vështirë dhe të komplikuar për gjetjen e një ekuilibri, që natyrisht prishi stabilitetin.
Pasojat
Roli që kanë luajtur të gjithë këta aktorë që e mbështetën dhunën ka qenë i lartë, si në një lojë pokeri, ndërkohë që mund të kishin luajtur një shah, që është lojë më elegante dhe më inteligjente. Tani duhet të përballojnë pasojat…
Burimi: shqiptarja.com










