Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Tigrat ktheh në Kazakistan pas 80 vitesh, por jo të gjithë e pranojnë

Tigrat ktheh në Kazakistan pas 80 vitesh, por jo të gjithë e pranojnë
Foto: shqiptarja.com

Dy tigra po bredhin tashmë nëpër natyrën e egër të Kazakistanit, gati 80 vjet pasi këta grabitqarë u panë për herë të fundit në këtë shtet.

Lëshimi i tigrave në rezervat

Më 2 nëntor, Ministria për Ekologji dhe Burime Natyrore e Kazakistanit njoftoi se një tigër, i quajtur Amur, u vendos në rezervatin natyror që është shtëpi e maceve të mëdha.

Amuri do të ndajë rezervatin e tij me tigreshën nga Rusia, të quajtur Umit, Rezervatin Shtetëror Natyror Ile-Balkhash, që gjendet rreth 300 kilometra në veriperëndim të Almatit. Umit u la e lirë në këtë rezervat më 31 korrik. Dhjetë ditë pas kësaj, ajo vrau dhe hëngri një derr të egër dhe një ujk dhe raportohet se, me sukses, ajo është përshtatur në mjedisin e ri.

Shqetësimet e banorëve lokalë

Valery Bilyachenko drejton një qendër për peshkim rekreativ pranë vendit ku u lanë të lirë në natyrë tigrat. Ai është një nga personat në atë zonë që po e ndjek nga afër zhvillimin e këtij projekti. Bilyachenko i tha Radios Evropa e Lirë se banorët lokalë janë kryesisht kundër projektit për rikthimin e tigrave.

“Burimi kryesor i jetesës në fshatrat e zonës është blegtoria”, theksoi ai. “Ka kullota dhe bagëti dhe, natyrisht që banorët vendas janë të shqetësuar se tigrat do t’ua vrasin kafshët”.

Disa fshatra ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra larg vendit ku janë dy tigrat.

“Tigrat tani janë pajisur me qafore me gjurmues satelitorë, kështu që lëvizjet e tyre po monitorohen. Na kanë thënë se, kur tigrat të fillojnë t’u afrohen fshatrave, do të dërgohen ekipe të posaçme për t’i trembur dhe për t’i larguar”, tha Bilyachenko.

Masat e monitorimit dhe parandalimit të konflikteve

Kazakistani është zotuar se do të ketë aktive ekipe “kundër konflikteve” me qëllim që të parandalohen incidentet mes tigrave dhe njerëzve ose bagëtive. Po ashtu, sipas raportimeve, përmes mesazheve banorët do të njoftohen sa herë që një tigër do t’i afrohet një fshati ose ferme në një distancë prej pesë kilometrash.

“Qëllimi ynë kryesor nuk është thjesht t’i rikthejmë këta grabitqarë në habitatin e tyre historik, por të krijojmë një popullatë të qëndrueshme, e cila do të jetë në gjendje të jetojë dhe të shumohet në mënyrë të pavarur në natyrë”, tha Alibek Kuantyrov nga Ministria e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore e Kazakistanit, pas lëshimit të Amurit në natyrë.

Shpresat për riprodhimin

Shpresa është që dy tigrat që janë të lirë në rezervat të gjejnë njëri-tjetrin dhe të bëhen çift, megjithëse ekspertët thonë se gjasat që ata të çiftëzohen janë të vogla.

Sa i përket biznesit të tij, ku ai ka shtëpiza për peshkatarët, Bilyachenko tha se parashikon që të ketë pak ndikim në një të ardhme të afërt, megjithëse kjo mund të ndryshojë. Dy këlyshë të tjerë tigrash pritet të lëshohen në rezervat në vitin 2027, ndërsa synimi përfundimtar është që rreth 50 tigra të enden në natyrën e egër të Kazakistanit.

Kjo do të krijonte mundësi për turizëm sa i përket vëzhgimit të tigrave, por potencialisht mund të ndikonte në gatishmërinë e njerëzve për ta shijuar lirshëm natyrën në këtë zonë.

Rezervati dhe projekti

Rezervati Ile-Balkhash u krijua në vitin 2018 dhe është përgatitur posaçërisht për tigrat, pasi aty janë vendosur më shumë se 200 drerë dhe mbi 100 kulanë. Kulani është një kafshë e ngjashme me gomarin, nga Azia Qendrore, që do të pasurojë “menynë” e grabitqarëve të mëdhenj.

Projekti për tigrat, me vlerë 30 milionë dollarë, është një përpjekje e përbashkët e Kazakistanit dhe Rusisë, nga ku janë marrë kafshët, dhe është financuar nga Fondi Botëror për Natyrën (WWF), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Kazakistani.

Historia e zhdukjes së tigrave

Kazakistani dikur ishte shtëpi e një popullate të konsiderueshme tigrash, por për shkak të gjuetisë dhe shkatërrimit të habitatit, numri i tyre vlerësohet se ra në rreth dhjetë, në mesin e viteve ‘30. Deri në vitin 1948, besohet se këta grabitqarë u zhdukën plotësisht nga territori i Kazakistanit të sotëm.

“Ky projekt i dërgon një mesazh botës. Asnjë vend nuk ka arritur ndonjëherë të rikthejë një specie të gjitarëve të mëdhenj që ishte zhdukur, veçanërisht një grabitqar”, tha Sergey Aramilev, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Ruse për Tigrat Amur, teksa foli për projektin në Kazakistan. Nëse kjo nismë rezulton e suksesshme, ai tha se rikthimi i këtyre kafshëve “do t’u tregojë vendeve të tjera se kjo gjë është e mundur”.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha