9 elektricistë kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit 2026, sipas statistikave të siguruara nga njoftimet e Policisë së Shtetit deri në muajin nëntor. Kjo do të thotë që mesatarisht pothuajse një punonjës i këtij sektori ka humbur jetën çdo muaj gjatë kryerjes së detyrës.
Dy viktima brenda pak ditësh
Siguria e punonjësve të sektorit të energjisë ka ngritur shqetësime që ekspertët e tregut i konsiderojnë alarmante. Vetëm në katër ditët e fundit janë shënuar dy viktima, duke rikthyer në vëmendje rrezikun e lartë me të cilin përballen elektricistët gjatë ndërhyrjeve në terren.
Më 6 nëntor, një 45-vjeçar humbi jetën në fshatin Kocul të Vlorës, teksa grupi i punonjësve po kryente riparime në një nënstacion elektrik. Një ditë më parë, në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, një tjetër punonjës u zu poshtë nga një shtyllë elektrike gjatë punës.
Shkaqet dhe problematika të organizimit
Nga kontakti me rrymën elektrike, te shkëputja e rripit të sigurimit dhe rrëzimi i shtyllave, shkaqet e aksidenteve janë të ndryshme. Ekspertët ngrenë edhe problematika të tjera që lidhen me kushtet dhe organizimin e punës në terren.
“Nuk ka rregulla strikte për rekrutimin e elektricistëve të rinj”, shprehet eksperti Ilir Dizdari.
Ai shton se “gjithë startuat teknike që janë pjesë e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, në stafet e ngushta nuk kanë favorizuar njerëz apo specialistë”.
Pajisjet mbrojtëse, trajnimet dhe respektimi i procedurave teknike janë thelbësore për të shmangur aksidentet. Por përsëritja e rasteve fatale ngre pikëpyetje, sipas ekspertëve, mbi zbatimin e këtyre rregullave dhe mbi përgjegjësinë për garantimin e sigurisë së punonjësve.
Ekspertët bëjnë thirrje për masa konkrete për të parandaluar rastet, në mënyrë që puna në shërbim të qytetarëve të mos kthehet në një rrezik për jetën e vetë punonjësve.
Burimi: top-channel.tv










