Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Britania shtyn në 10 vjet afatin për qëndrimin e përhershëm të migrantëve

Britania shtyn në 10 vjet afatin për qëndrimin e përhershëm të migrantëve
Foto: reporteri.al

Reforma e re e sistemit të emigracionit

LONDËR, 2 nëntor /ATSH/ – Qeveria britanike njoftoi një reformë të re të sistemit të emigracionit, sipas së cilës shumica e migrantëve do të duhet të presin 10 vjet, në vend të pesë viteve aktuale, për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme britanike (Home Office), korniza e re, e quajtur “Earned Settlement” (Qëndrim i fituar), synon ta lidhë marrjen e statusit të qëndrimit të përhershëm me kontributin ekonomik e shoqëror, sjelljen dhe respektimin e rregullave të emigracionit.

Afatet sipas kategorisë së migrantëve

Reforma parashikon afate të ndryshme sipas kategorisë së migrantëve. Personat me të ardhura mbi 125 mijë paund në vit do të mund të aplikojnë pas tre vitesh, ndërsa ata që fitojnë mbi 50.271 paund në vit, si dhe disa profesionistë të shërbimeve publike, përfshirë mjekët, infermierët dhe mësuesit, do ta ruajnë mundësinë e aplikimit pas pesë vitesh.

Për punonjësit e kujdesit social parashikohet gjithashtu një rrugë pesëvjeçare drejt qëndrimit të përhershëm, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara, përfshirë të ardhurat vjetore prej të paktën 25 mijë paundësh dhe respektimin e kushteve të vizës.

Ndër kriteret e reja për aplikantët përfshihen mungesa e precedentëve penalë, njohja e gjuhës angleze në nivel të lartë, shlyerja e detyrimeve ndaj shtetit dhe kontributet e kërkuara në sistemin e sigurimeve kombëtare.

Qeveria britanike parashikon masa më të ashpra për personat që kanë shkelur rregullat e emigracionit, të cilët mund të përballen me një periudhë pritjeje prej të paktën 20 vjetësh. Për personat që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në vend, përfshirë përmes kalimeve klandestine me varka të vogla, periudha mund të arrijë deri në 30 vjet.

Sipas qeverisë, rreth 500 mijë persona mund të duhet të presin më shumë se pesë vjet për të marrë statusin e qëndrimit të përhershëm.

Rregullat e reja do të zbatohen në momentin kur merret vendimi për aplikimin për qëndrim të përhershëm. Qeveria ka sqaruar se personat që e kanë marrë tashmë këtë status nuk do ta humbasin atë si pasojë e reformës.

Njoftimin e bëri ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, më 2 nëntor, ndërsa qeveria publikoi edhe rezultatet e konsultimit publik për reformën.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha