BERLIN, 29 tetor /ATSH -AA/ – Një grup i ri gjerman prezantoi sot një letër të hapur drejtuar kancelarit Friedrich Merz, ku paraqiten kërkesat e tyre, në prag të protestave kombëtare të planifikuara kundër politikave qeveritare.
Kërkesat e të rinjve drejtuar kancelarit Merz
“Nuk mund të qëndrojmë më duarkryq duke shikuar se si ju luani me të ardhmen tonë. Politikat tuaja të shtrëngimit ekonomik po na heqin çdo shpresë”, deklaroi grupi “Gen Z Regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë) në letrën e hapur të publikuar në internet.
Grupi i studentëve kritikoi uljen e shpenzimeve sociale, mënyrën se si qeveria po trajton krizën klimatike, mungesën e përgjigjes ndaj shqetësimeve të të rinjve për luftërat dhe konfliktet, si dhe planet për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“E gjithë kjo ndodh ndërsa ju refuzoni të na dëgjoni, nuk i merrni seriozisht frikërat tona dhe nuk i keni parasysh kundërshtimet tona. Na u mbush kupa!”, theksoi grupi, duke vënë në dukje se “Politikat tuaja po e çojnë të ardhmen tonë drejt një rruge pa krye! Prandaj, më 31 tetor, ne do të dalim në rrugë në më shumë se 20 qytete, në mënyrë paqësore, me zë të lartë dhe me vendosmëri”.
Protestat në 20 qytete dhe kërkesat kryesore
Kjo nismë, e përbërë nga nxënës të shkollave të mesme, studentë universitarë, praktikantë dhe profesionistë të rinj, po planifikon protesta të mëdha në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, ndërsa protesta të tjera janë parashikuar në 27 qytete të tjera. Sipas organizatorëve, mbi 150 mijë njerëz janë regjistruar tashmë në internet.
Grupi i të rinjve tha se marshimet do të jenë paqësore. Kërkesat e tyre drejtuar kancelarit Merz dhe qeverisë së tij të koalicionit përfshijnë “para për shkollat në vend të shkurtimeve” dhe “një jetë të përballueshme”, duke i vendosur shqetësimet e njerëzve në krye të agjendës.
Ata bënë thirrje për një shpërndarje më të drejtë të barrës “në vend të kursimeve në kurriz të brezit të ri”, një “jo” të prerë ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak, mbrojtje më të fortë të të drejtave themelore “në vend të zgjerimit të mbikëqyrjes”, si dhe masa serioze për mbrojtjen e klimës, në mënyrë që të rinjtë të mund të kenë një të ardhme. /os/
Burimi: ata.gov.al









