Gjatë seancës plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka ngritur kritika të ashpra ndaj buxhetit të qeverisë. Ajo e cilësoi dokumentin si një akt që i braktis shtresat më të varfra dhe nuk përfshin minimumin jetik prej 250 eurosh, siç propozon PD dhe rekomandon Avokati i Popullit.
Pensionet dhe ndihma për fëmijët jetimë
Zhupa theksoi se shumë pensione ndodhen nën nivelin e minimumit jetik. Sipas saj, fëmijëve jetimë u jepen vetëm 99 mijë lekë të vjetra, një shumë që nuk mjafton për të mbijetuar, ndërsa familjet që përfitojnë pagesa KEMP përballen me vështirësi ekonomike.
Rasti i Erindit
Si shembull, ajo solli rastin e Erindit, i cili u gjobit me 5 milionë lekë për pjesëmarrje në një protestë, ndërsa familja e tij merr vetëm 120 mijë lekë të vjetra nga KEMP. “Për gjobën e gjetët ku ishte, ku jetonte, e ndoqët nga mbrapa, ndërsa për të kuptuar si jeton ky i ri dhe nëse i del të mbijetojë, nuk i intereson njeri”, deklaroi Zhupa.
Kritika ndaj buxhetit
Në fjalën e saj, ajo theksoi se Kuvendi nuk e ka parashikuar minimumin jetik as në buxhetin aktual. Po të ishte vendosur minimumi jetik prej 250 eurosh, siç sugjeronte raporti i Avokatit të Popullit dhe propozimi i PD-së, asnjë pagesë nuk do të ishte nën 250 mijë lekë të vjetra.
“Ndaj dhe buxheti dhe protesta janë një”, vijoi ajo, duke akuzuar se po hartohet një buxhet që, sipas saj, rrjep ekonominë e ndershme dhe godet të dobëtit dhe të varfrit, në favor të të pasurve.
Burimi: www.albeu.com










