Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Koçiu: Buxheti 10 miliardë euro jep më shumë para për pensionistët

Koçiu: Buxheti 10 miliardë euro jep më shumë para për pensionistët
Foto: kohajone.com

Kryeministrja Albana Koçiu thotë se buxheti 2027 e kthen rritjen ekonomike të vendit në mirëqenie për qytetarët. Ajo theksoi se një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme: në shportën e ushqimeve, në faturën e karburantit, në të ardhurat e pensionistëve, në mbështetjen për fëmijët dhe në mundësitë për të rinjtë. Sipas saj, Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike, por kjo fuqi nuk matet vetëm me shifra apo investime, por me ndryshimet që sjell në jetën e njerëzve.

Rritja ekonomike dhe jeta e përditshme

“Ne e dimë se rritja ekonomike nuk ndihet njësoj në çdo familje. Rriten pagat, por rriten edhe çmimet. Shtohen të ardhurat, por dhe nevojat dhe pritshmëritë e njerëzve. Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e familjes, një pensionist që llogarit çdo lek për ushqimet dhe ilaçet, apo një çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e tij, nuk e matin ekonominë me statistika, por me mundësinë për të jetuar më mirë”, nënvizoi Koçiu.

Masat e buxhetit 2027

Ajo theksoi se buxheti i vitit 2027, me një vlerë historike prej 10 miliardë eurosh, vendos në qendër njerëzit dhe familjet shqiptare. “Kjo do të thotë më pak shpenzime për produktet bazë me uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produktet e shportës; 32 lekë më pak për litër karburant përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit; rritje më e madhe për pensionistët; më pak tatim mbi pagën për shtresat e mesme; mbështetje mujore për bebet gjatë pesë viteve të para; më shumë mundësi strehimi për familjet e reja; bursa më të larta për studentët në nevojë”, tha Koçiu.

Një Shqipëri evropiane

Sipas saj, nuk mjafton që ekonomia të rritet, por ajo duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët. “Kjo është Shqipëria evropiane që duan të ndërtojmë, një vend më i zhvilluar ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim tek e ardhmja”, tha Koçiu.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha