Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos u japë rëndësi akuzave të Erion Veliajt, i cili nga burgu i Fierit e ka akuzuar se ka ushtruar presion ndaj tij përmes ministrit Toni Gogu, duke i kërkuar dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe duke e lidhur me protestat. I pyetur për këto pretendime, Rama i ka cilësuar ato si zhurma pa rëndësi, duke bërë një krahasim me trafikun në Bulevard. “Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në Bulevard”, u shpreh kryeministri, duke lënë të kuptohet se akuzat e Veliajt nuk përbëjnë shqetësim për të.
Raporti i progresit i Komisionit Europian
Në fokus të deklaratës së tij, Rama vendosi raportin e progresit të Komisionit Europian, të cilin e cilësoi si një pasqyrë të punës së qeverisë dhe një vlerësim pozitiv për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit europian. “Raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë. Kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon”, deklaroi Rama.
Progresi dhe perceptimi publik
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka shënuar progres të madh, por sipas tij, ky zhvillim nuk reflektohet sa duhet në perceptimin e qytetarëve për shkak të asaj që ai e cilësoi si dezinformim publik. “Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë çdo ditë”, tha Rama, duke nënvizuar se objektivi kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Burimi: kohajone.com










