TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Qeveria miratoi sot shpronësimin e pronave private të prekura nga projekti i rikonstruksionit të rrugës së Kuzum Babasë në Vlorë. Për kompensimin e pronarëve është parashikuar një fond prej rreth 1.44 milionë lekësh, i cili do të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
Kompensimi i pronarëve
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, shpronësimi kryhet për interes publik dhe në favor të Bashkisë Vlorë. Pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga projekti do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të përcaktuar në tabelën bashkëlidhur vendimit.
Vlera e përgjithshme e kompensimit për pronat e kategorisë “truall” është 1 milion e 439 mijë e 196 lekë. Shpenzimet procedurale të procesit të shpronësimit, në vlerën 50 mijë lekë, do të mbulohen gjithashtu nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
Procedura dhe afatet
Procesi i shpronësimit nis menjëherë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi. Pronarët do të marrin kompensimin pasi të paraqesin dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Vlorë.
Vendimi parashikon gjithashtu që Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, të nisë procedurat për pasqyrimin e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe për regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë. Gjatë kësaj periudhe, transaksionet me pronat e shpronësuara do të pezullohen.
Zbatimi i vendimit
Zbatimi i vendimit i ngarkohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë Vlorë, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
/r.e/
Burimi: ata.gov.al










