Drake është një prej artistëve që ka arritur të shndërrohet në një fenomen global të muzikës. Me hite që kanë dominuar klasifikimet ndërkombëtare, miliona dëgjues dhe një karrierë të ndërtuar ndër vite, reperi kanadez ka krijuar një identitet të veçantë në industrinë e hip-hopit. Por, përtej suksesit muzikor, emri i tij ka zgjuar një interes të veçantë edhe te publiku shqiptar.
Arsyeja? Disa referenca të papritura ndaj Kosovës dhe përdorimi i simbolit kombëtar shqiptar në projektet e tij muzikore, të cilat kanë bërë që fansat shqiptarë ta shohin artistin me një kuriozitet të veçantë.
I njohur në botë si Drake, artisti ka lindur më 24 tetor 1986 në Toronto të Kanadasë, me emrin Aubrey Drake Graham. Ai vjen nga një familje me prejardhje të ndryshme kulturore. Babai i tij, Dennis Graham, është afrikano-amerikan nga Memphisi i Tennessee-t dhe ka qenë i përfshirë në muzikë, ndërsa nëna e tij, Sandi Graham, është kanadeze me origjinë hebraike.
Pas ndarjes së prindërve, kur Drake ishte vetëm pesë vjeç, ai u rrit kryesisht nga nëna në Toronto. Fëmijëria nuk ishte gjithmonë e lehtë, pasi familja u përball me vështirësi ekonomike. Në rrëfimet e tij publike, reperi ka folur për sakrificat e së ëmës dhe për ndjesinë e të qenit mes dy kulturave të ndryshme, pa u ndier plotësisht pjesë e njërës apo tjetrës.
Përpara muzikës, Drake provoi suksesin në aktrim
Pak kush e kujton se rruga e tij drejt famës nisi në televizion. Në moshën 15-vjeçare, ai siguroi një rol në serialin kanadez “Degrassi: The Next Generation”, ku interpretoi Jimmy Brooks. Personazhi i tij u bë pjesë e serialit për disa sezone dhe i dha mundësinë të njihej nga një audiencë e gjerë.
Megjithatë, aktrimi nuk ishte destinacioni përfundimtar. Drake kishte ambicie të tjera dhe synonte të ndërtonte një karrierë në muzikë. Në vitin 2006 nisi të publikonte materialet e para në mënyrë të pavarur, ndërsa tre vite më vonë publikoi mixtape-in “So Far Gone”, projekti që do të ndryshonte gjithçka.
Krijimet e tij tërhoqën vëmendjen e Lil Wayne, i cili e përfshiu në label-in “Young Money Entertainment”. Ky bashkëpunim i hapi dyert drejt industrisë së madhe muzikore.
Në vitin 2010, Drake publikoi albumin e tij të parë në studio, “Thank Me Later”, i cili debutoi në vendin e parë të Billboard 200. Një vit më pas erdhi “Take Care”, albumi që i solli edhe çmimin e parë Grammy në kategorinë e albumit më të mirë rap.
Pas këtyre projekteve, karriera e tij njohu një rritje të vazhdueshme. “Nothing Was the Same”, “Views”, “Scorpion” dhe “Certified Lover Boy” janë vetëm disa nga albumet që e konsoliduan si një prej emrave më me ndikim të muzikës bashkëkohore.
Në repertorin e tij gjenden hite të njohura si “God’s Plan”, “One Dance”, “Hotline Bling”, “In My Feelings” dhe “Started From the Bottom”, këngë që kanë arritur sukses përtej kufijve të Amerikës së Veriut. Gjatë karrierës, Drake ka fituar pesë çmime Grammy dhe ka vendosur rekorde të shumta në Billboard.
Paralelisht me muzikën, ai ka zhvilluar edhe aktivitete të tjera biznesi. Marka e tij “OVO” është zgjeruar në industrinë e modës dhe veshjeve, ndërsa reperi ka qenë i përfshirë edhe në iniciativa të ndryshme sportive dhe sipërmarrëse.
Çfarë e afron Drake me simbolikën shqiptare?
Pavarësisht se nuk ka konfirmuar ndonjë lidhje familjare me shqiptarët, Drake ka arritur të tërheqë vëmendjen e tyre përmes disa detajeve në projektet muzikore.
Një prej rasteve më të komentuara ishte kënga “Polar Opposites”, e publikuar në vitin 2023 në albumin “For All the Dogs”. Në tekstin e saj përmendet Prishtina, një referencë që nuk kaloi pa u vënë re nga dëgjuesit shqiptarë.
Vargu u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe nxiti diskutime mbi arsyen pse reperi kishte zgjedhur pikërisht kryeqytetin e Kosovës për ta përfshirë në këngë.
Por vëmendja nuk u përqendrua vetëm te teksti. Në videoklipin e “Polar Opposites”, Drake u shfaq i veshur me një xhaketë të zezë, në pjesën e pasme të së cilës dallohej shqiponja dykrenare. Një tjetër element vizual që ra në sy ishte edhe prania e pamjeve të një shqiponje që fluturonte mbi det.
Në këtë histori ka edhe një emër shqiptar: Gentuar Memishi. Ai ishte pjesë e ekipit të autorëve të “Polar Opposites”, duke kontribuar në krijimin e kësaj kënge dhe të dy projekteve të tjera të albumit. Kjo përbën një tjetër pikë kontakti mes muzikës së Drake dhe artistëve shqiptarë.
Shqiponja shfaqet sërish, këtë herë në një bizhuteri luksoze
Duket se simboli shqiptar nuk ishte thjesht një detaj i izoluar në një projekt të vetëm. Në videoklipin e këngës së re “Ya Hit”, Drake është shfaqur përsëri me shqiponjën dykrenare, këtë herë të vendosur në një varëse gjigante të mbuluar me diamante.
Bizhuteria, e realizuar nga argjendari i njohur Alex Moss, është kthyer në një prej detajeve që kanë tërhequr më shumë vëmendje nga publiku. Edhe pse çmimi i saj nuk është bërë i ditur zyrtarisht, përmasat dhe punimi luksoz kanë nxitur spekulime mbi vlerën e mundshme.
Për fansat shqiptarë, megjithatë, rëndësia e këtij detaji shkon përtej luksit. Ajo që ka ngjallur interes është fakti se reperi po e përdor sërish një simbol që përfaqëson identitetin kombëtar shqiptar.
Deri më tani, Drake nuk ka shpjeguar publikisht arsyet që e kanë shtyrë të përfshijë shqiponjën dykrenare në videoklipet dhe paraqitjet e tij. Po ashtu, nuk ka bërë ndonjë deklaratë që të konfirmojë prejardhje apo lidhje familjare shqiptare.
Kështu, mbetet e hapur mundësia që kjo zgjedhje të jetë frymëzuar nga bashkëpunëtorët e tij, nga interesimi për një simbolikë të caktuar apo thjesht nga koncepti artistik i projekteve.
Megjithatë, kombinimi i përmendjes së Prishtinës, bashkëpunimit me Gentuar Memishin dhe shfaqjes së përsëritur të shqiponjës dykrenare ka krijuar një lidhje interesante mes Drake dhe publikut shqiptar.
Një raport që nuk është shpjeguar ende nga vetë artisti, por që sa herë shfaqet një referencë e re shqiptare në projektet e tij, rikthehet në qendër të diskutimeve.
Burimi: bordo.al









