Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Colette Kress caktohet CEO e përkohshme e Nvidia

Colette Kress caktohet CEO e përkohshme e Nvidia
Foto: ata.gov.al

LONDËR, 12 nëntor /ATSH/ – Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane “Nvidia”, Jensen Huang, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i kompanisë, pas më shumë se 33 vitesh në krye të saj, sipas “Business Insider”.

Bordi drejtues i Nvidia-s ka pranuar dorëheqjen e Huang nga postet e presidentit, drejtorit ekzekutiv (CEO) dhe anëtarit të bordit, me efekt të menjëhershëm.

Në vend të tij, kompania ka emëruar drejtoreshën aktuale financiare, Colette Kress, në detyrën e CEO-s së përkohshme, deri në përzgjedhjen e një drejtuesi të përhershëm.

Sipas njoftimit zyrtar, Kress do të vazhdojë të mbajë edhe detyrën e drejtoreshës financiare gjatë periudhës së tranzicionit.

Bordi ka nisur procesin e kërkimit për pasuesin e Huang dhe do të shqyrtojë kandidatë si nga brenda, ashtu edhe jashtë kompanisë.

Arsyet e dorëheqjes së Jensen Huang

Largimi i Huang vjen pas disa ditësh polemikash, lidhur me jetën e tij personale dhe raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore.

Mes pretendimeve të publikuara në media është edhe një lidhje me një grua me qendër në Singapor, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane për lidhje me spiunazhin kinez.

Gjithashtu, janë publikuar raportime për një marrëdhënie të dytë me një drejtuese të kompanisë.

Këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë e informacionit dhe marrëdhëniet e kompanisë me Kinën.

Bordi i Nvidia-s kishte nisur më herët një hetim, lidhur me raportimet për kontaktet e Huang dhe ndikimin e mundshëm të tyre në sigurinë e kompanisë.

Kush është Colette Kress?

Colette Kress është një nga drejtueset më me përvojë të Nvidia-s. Ajo iu bashkua kompanisë në shtator të vitit 2013, si zëvendëspresidente ekzekutive dhe drejtoreshë financiare.

Përpara se të merrte këtë detyrë, Kress kishte punuar në kompani të mëdha teknologjike, përfshirë Microsoft, Cisco dhe Texas Instruments, duke grumbulluar rreth 25 vite përvojë në fushën e financave dhe menaxhimit.

Gjatë periudhës së saj në Nvidia, kompania ka shënuar një zgjerim të jashtëzakonshëm, duke u shndërruar nga një prodhues i procesorëve grafikë për videolojëra në një nga kompanitë më të rëndësishme në botë, për teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Të ardhurat vjetore të Nvidia-s janë rritur nga rreth 4,1 miliardë dollarë në vitin fiskal 2013, në 215,9 miliardë dollarë në vitin fiskal 2026.

Ndryshime edhe në drejtimin e bordit

Krahas emërimit të drejtueses së re të përkohshme, Nvidia ka njoftuar edhe emërimin e Harvey C. Jones si kryetar të bordit drejtues, posti i parë i këtij lloji në historinë e kompanisë.

Jones është anëtar i bordit që prej vitit 1993, vit kur u themelua Nvidia.

Jensen Huang bashkëthemeloi Nvidia-n në vitin 1993 dhe për më shumë se tri dekada ishte figura kryesore e kompanisë, duke udhëhequr zhvillimin e saj dhe zgjerimin në tregun e inteligjencës artificiale. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha