Asambleja e Partisë Socialiste këtë të shtunë pritet të sjellë lëvizje të rëndësishme në strukturat drejtuese të partisë, por me vendime që mund të prekin edhe kabinetin qeveritar. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka zbuluar disa nga skenarët që pritet të jenë në tryezën e kryeministrit gjatë mbledhjes. Sipas Veliut, një nga ndryshimet kryesore mund të jetë dyfishimi i numrit të drejtuesve politikë, nga 12 në 24.
“Rama pritet të dyfishojë drejtuesit politikë nga 12 në 24. Ai mendon se ka gjetur dy kandidatura të përshtatshme për Tiranën dhe Shkodrën”, u shpreh gazetari.
Garat për Tiranën dhe Shkodrën
Sa i përket garës për drejtimin e dy bashkive, në diskutim janë emrat e Ervin Demos për Tiranën dhe Enea Karakaçit për Shkodrën, ku ky i fundit mund të përballet me Kliti Hotin.
Mundësi ndryshimesh në qeveri
Veliu ngriti gjithashtu mundësinë që dy ministra të lënë postet në qeveri për t’u përfshirë në garën për kryebashkiakë. “Dy ministra mund të sakrifikojnë postet e tyre për të kandiduar për kryebashkiakë”, tha ai, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Qëndrimi i Ramës për rastin Veliaj
Një tjetër çështje që pritet të tërheqë vëmendjen e socialistëve është qëndrimi i Edi Ramës për situatën e Erion Veliajt. Sipas gazetarit, deri më tani nuk ka një qëndrim publik të kryeministrit për këtë çështje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të bëjë një koment gjatë Asamblesë.
Asambleja pritet të zhvillohet në orën 10:30 në Gjirin e Lalëzit. Përveç riorganizimit të strukturave partiake, vëmendja do të jetë e përqendruar edhe te vendimet për përgatitjen e socialistëve në funksion të zgjedhjeve të 9 majit.
Burimi: kohajone.com










