Pas një serie sulmesh me gurë drejt efektivëve te Ministria e Arsimit, protestuesit marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Në bulevard, protestuesit hodhën disa molotovë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës. Zhvendosja erdhi pas shpërndarjes nga policia te Ministria e Arsimit.
Kryeministria ishte pika e takimit të tyre me demokratët, të cilët më herët ishin larguar në hyrje të “Rrugës së Durrësit”, pasi shkuan drejt sheshit “Skënderbej”. “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite?” ishte thirrja me të cilën protestuesit ua drejtuan militantëve.
Në bulevard, protestuesit e maskuar hodhën disa molotovë dhe gurë drejt kryeministrisë. Policia përdori gaz lotsjellës.
Pas disa thirrjeve të përsëritura për t’u distancuar nga aktet e dhunshme, policia hodhi ujë.
Një grup protestuesish në bulevard, sulme me molotovë e gurë
Në bulevard kanë mbetur vetëm një grup protestuesish të maskuar që vazhdojnë sulmet ndaj policisë. Ata hedhin vazhdimisht molotovë e gurë dhe thërrasin “polici e krimit” e “dorëheqje”.

Protestuesit hedhin molotovë drejt policisë, sjellin çanta me gurë
Protestuesit në bulevard kanë krijuar një front përballë policisë, drejt së cilës hedhin molotovë dhe përdorin lazerë për t’i shpërqendruar. Disa të tjerë zbrazin në rrugë çanta me gurë.

Ndërkohë, thirrja “dorëheqje”, me të cilën kërkohet largimi i kryeministrit, nuk pushon.
Nga ana tjetër, policia ka avancuar në bulevard duke i zhvendosur protestuesit pranë Parkut “Rinia”.
Policia spërkat protestuesit me ujë dhe i largon nga kryeministria
Policia po ndërhyn për të shpërndarë protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Autobotët kanë nisur të lëvizin dhe po hedhin ujë, ndërsa protestuesit tërhiqen drejt hyrjes së bulevardit.
Një pjesë e tyre hedhin fishekzjarrë, kapsollë tymuese, si dhe përdorin lazerë të fortë.
Vazhdojnë molotovët e maskuarve, policia hedh ujë
Protestuesit me maska kanë vazhduar hedhjen e molotovëve drejt oborrit të kryeministrisë. Në përgjigje, policia ka hedhur ujë.
Protestuesit drejtojnë lazerë kundër autobotit të ujit
Disa protestues me maska kanë marrë lazerë me vete, të cilët i drejtojnë kundër autobotëve të policisë.
Molotovë drejt kryeministrisë, policia ndërhyn me ujë
Protestuesit me maska po hedhin kapsollë e molotovë drejt kryeministrisë. Një molotov ka hyrë në oborrin e godinës, duke shkaktuar flakë pranë autobotit të policisë.
Policia i shuajti flakët menjëherë dhe po ndërhyn me hedhjen e ujit ndaj protestuesve.
Protestuesit e maskuar thyejnë vazot e luleve dhe sulmojnë kryeministrinë
Protestuesit e maskuar kanë nisur përgatitjen e gurëve për t’i hedhur drejt kryeministrisë. Ata shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa marrin edhe vazot prej guri, të cilat i përmbysin dhe i thyejnë.
Copat e tyre i përdorin për sulmet e radhës.
Protestuesit me maska shkulin pllakat e trotuarit dhe sulmojnë kryeministrinë
Një grup protestuesish të maskuar është rikthyer te aktet e dhunës. Disa prej tyre shkulën pllakat e gurit nga trotuari dhe sulmuan godinën e kryeministrisë.
Protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë, policia hedh gaz lotsjellës
Policia ka hedhur gaz lotsjellës ndaj turmës së protestuesve që po marshonin drejt kryeministrisë.
Sulmet te Ministria e Arsimit, protestuesi i maskuar rrëzohet nga uji me presion
Ky është momenti kur një prej protestuesve të maskuar, që po shtynte një kosh mbeturinash drejt autobotit të policisë gjatë tensioneve te Ministria e Arsimit, goditet nga uji me presion.
Forca e ujit e godet në fytyrë, ku ai mban maskë e syze, dhe më pas e hedh në tokë. Protestuesi bën një rrotullim dhe më pas ngrihet në këmbë.
Militantët e PD ndahen, protestuesit shkojnë drejt kryeministrisë
Me nisjen e marshimit, protestuesit kanë hedhur edhe kapsollë. Vihet re ndarja mes grupeve, pasi ata dolën nga “Rruga e Durrësit”.
Demokratët u drejtuan nga qendra, ndërsa protestuesit u nisën drejt Bankës së Shqipërisë dhe KQZ-së, para se të kalonin te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Këta të fundit bënë edhe thirrje si “arresto Berishën”.
Protestuesit nisin marshimin, militantëve të Berishës u drejtohen me thirrje: Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite?
Protestuesit, përfshirë edhe militantët dhe deputetët e Partisë Demokratike, po tërhiqen nga Ministria e Arsimit dhe kanë nisur marshimin.
Disa protestues nuk i kursyen as thirrjet drejt palës tjetër: “Parti Demokratike, si u shite gjithë këto vite?” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Burimi: shqiptarja.com










