Kroacia nuk do ta lejojë mbylljen e kapitullit 31 në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) përpara se të zgjidhet çështja e kufirit, paralajmëroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.
“Mund ta them qartë: kapitulli 31 nuk do të mbyllet derisa të zgjidhet çështja e demarkimit të kufirit tokësor. Një mesazh i qartë, që s’mund të jetë më i qartë, por edhe miqësor. Në fund të fundit, nëse kjo është problem, duhet ta dëgjojmë qartë”, tha Plenkoviç në Bruksel.
“Nëse marrim një mesazh të qartë nga ana malazeze, ‘ne nuk e konsiderojmë se ka konflikt në pikën ku kufiri tokësor takohet me detin’, atëherë kemi problem. Dhe në atë rast nuk mund të ulemi në të njëjtën tryezë të familjes që quhet Bashkimi Evropian. Kjo është thelbësore”, theksoi kreu i Qeverisë kroate.
Kapitulli 31 dhe bllokimi kroat
Kapitulli 31 përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Kroacia e bllokoi atë në vitin 2024, menjëherë pasi Kuvendi i Malit të Zi miratoi rezolutën për Jasenovacin, gjë që shkaktoi tensione mes Podgoricës dhe Zagrebit.
Presidenti malazez, Jakov Millatoviç, kujtoi më 25 nëntor se as Kroacia, kur u pranua në BE, nuk e kishte të zgjidhur çështjen e kufirit me Slloveninë, fqinjin e saj. Millatoviç shprehu gatishmërinë që, nëse nuk arrihet marrëveshje, kontestin ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare ose në arbitrazh.
Plenkoviç e hodhi poshtë këtë mundësi, duke thënë se Kroacia nuk beson në arbitrazh. Ai gjithashtu u kujtoi liderëve malazezë se dy situatat nuk mund të krahasohen.
“Marrëdhënia mes Kroacisë dhe Malit të Zi nuk është e njëjtë me atë mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Mali i Zi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, e cila zhvilloi agresion të armatosur ndaj territorit kroat. Prevlaka, Konavlja, shkatërrimi i Dubrovnikut, praktikisht arritja e pushtimit deri në Sllano”, tha Plenkoviç.
Ai u bëri thirrje malazezëve të arrijnë marrëveshje për kufirin tokësor, e cila do t’i zgjidhte dhe lehtësonte marrëdhëniet mes dy vendeve për një kohë të gjatë.
Efekti mbi kalendarin e anëtarësimit
Nëse Zagrebi mbetet në këtë qëndrim, mund të vihet në pikëpyetje synimi i Qeverisë malazeze që negociatat e anëtarësimit t’i përfundojë deri në fund të këtij viti, në mënyrë që Traktati i Anëtarësimit të nënshkruhet në verën e vitit 2027.
Komisioni Evropian e ka konsideruar gjithmonë këtë kalendar realist dhe të arritshëm. Megjithatë, për çdo hap në negociatat nevojitet pajtimi i të gjitha shteteve anëtare, pasi secila ka të drejtë vetoje. Koha gjithashtu nuk punon në favor të Malit të Zi: deri në fund të vitit kanë mbetur rreth njëzet ditë pune sipas kalendarit të BE-së.
Çfarë është në kontest te përcaktimi i kufirit?
Kroacia kërkon që Mali i Zi të heqë dorë nga arbitrazhi për kufirin tokësor dhe të përqendrohet te kufiri detar pranë Prevlakës, në hyrje të Gjirit të Kotorrit.
“Çdo vënie në pikëpyetje e kufirit tokësor, Kroacia do ta interpretojë si pretendim territorial të Malit të Zi ndaj Kroacisë. Po flas shprehimisht, kam parasysh Prevlakën”, paralajmëroi Plenkoviç.
Kufiri në gadishullin e Prevlakës është kontestuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet ’90. Kontesti përfshin tri çështje: tokën, detin dhe nëntokën detare. Për Malin e Zi është thelbësore të ruajë kontrollin mbi hyrjen në Gjirin e Kotorrit. Kroacia konsideron se gadishulli është territor kroat dhe se deti duhet ndarë sipas së drejtës ndërkombëtare.
Që nga viti 2002, situata rregullohet me një protokoll të përkohshëm. Sipas tij, pjesa tokësore e Prevlakës dhe brezi i ngushtë detar rreth kepit të Ostrosit janë nën kontrollin kroat. Një pjesë e hapësirës detare pranë bregut të majtë të gadishullit është shpallur “det i askujt”, kështu që Mali i Zi ka ruajtur kontrollin mbi detin dhe hyrjen në gji. Ky aranzhim ishte menduar si i përkohshëm, por tashmë vazhdon 24 vjet. Komisioni i përbashkët për zgjidhjen e kontestit është mbledhur për herë të fundit në vitin 2015.
Kufiri është një nga tetë kërkesat e Kroacisë që Mali i Zi duhet t’i plotësojë para anëtarësimit në BE.
Përveç kapitullit 31, Kroacia po bllokon për momentin edhe mbylljen e përkohshme të kapitullit 14, që ka të bëjë me transportin, dhe kapitullit 15, që lidhet me energjetikën. Bllokimi i kapitullit 15 lidhet gjithashtu me kufirin, përkatësisht me kërkimet për naftë dhe gaz në një pjesë të hapësirës detare, pasi të dy vendet ende nuk e kanë përcaktuar kufirin detar.
Burimi: kohajone.com










