Kosova, së bashku me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, klasifikohet ndër vendet që nuk kanë shënuar përparim në fushat thelbësore. Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu se Kosova përballet me ndikim politik dhe nga grupet e interesit mbi gjykatat dhe prokurorinë.
Si risi, drafti thekson se harmonizimi i plotë i Kosovës me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është paraqitur “për herë të parë” në kapitullin e veçantë 31.
Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës
Ashtu si në vitet e mëparshme, Komisioni thekson se përparimi i Serbisë dhe i Kosovës në rrugën evropiane lidhet me përparimin thelbësor në normalizimin e marrëdhënieve. “Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe i Aneksit të saj të zbatimit mbetet i pamjaftueshëm”, thuhet në draft.
“Normalizimi nuk është vetëm kusht në rrugën evropiane. Ai është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja shoqërive dhe të rajonit më të gjerë. Mungesa e përparimit ka kosto politike dhe ekonomike dhe rrezikon që të dyja palët të mbeten prapa në një kohë kur procesi i zgjerimit ka marrë sërish hov”, thuhet në dokument.
Plani i Rritjes dhe pajtimi
Sipas draftit, deri në shtator të vitit 2026, nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë disbursuar 193,3 milionë euro grante nga gjithsej 1,6 miliard euro, për 90 hapa reformues të përmbushur. Komisioni vlerëson se zbatimi duhet të përshpejtohet. Thuhet gjithashtu se po punohet për heqjen e tarifave të roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në pjesën për pajtimin, Komisioni thekson se revizionizmi historik, mohimi apo glorifikimi i krimeve të luftës dhe retorika nxitëse janë “të papajtueshme me vlerat” mbi të cilat mbështetet procesi i anëtarësimit./rel/
Burimi: insajderi.org









