Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar projektbuxhetin për bujqësinë, duke e cilësuar të papërfillshme rritjen prej 0.2% të prezantuar nga ministri Andis Salla. Gjatë fjalës së tij, ligjvënësi demokrat përdori një krahasim me prodhimin e vezëve për të vënë në dukje se, sipas tij, fondet e parashikuara nuk u përgjigjen nevojave të fermerëve.
“Një pulë bën 200 koqe ve në vit. 0.2% i koqeve të vezëve është as gjysmë koqe veje. E ndien bujqësia këtë rritje? Ishalla nuk pjell 200 koqe ve se aha ngelëm pa ngrënë ne!”, u shpreh Korreshi me ironi, duke iu referuar buxhetit prej 17.9 miliardë lekësh për sektorin. Ai vijoi kritikat ndaj mbështetjes financiare për fermerët, duke deklaruar se shumat e akorduara nuk mjaftojnë as për nevojat më elementare të punës së tyre. “Këto lekët tuaja fermerit s’i dalin as për çizme, i heqim edhe qafat se s’i dalin as për qafa më”, tha deputeti.
Kritika ndaj ministrit Malaj dhe fondeve për bashkitë
Në shënjestër të kritikave të Korreshit ishte edhe ministri Petrit Malaj, të cilin e akuzoi për shpërndarje të pabarabartë të fondeve, duke pretenduar se për pagat në bashki janë parashikuar shumë më tepër para sesa për infrastrukturën. “Oho, iku Peço! Paska çarë ferrën dhe Peço! Hajde o Petrit, hajde o vëlla!”, ironizoi ai, ndërsa ngriti shqetësimin për gjendjen e kanaleve kulluese, të cilat, sipas tij, janë mbuluar nga bimësia.
Denoncim i kushteve në spitalin e Lushnjës
Deputeti demokrat solli gjithashtu në Kuvend fotografi nga spitali i Lushnjës, duke denoncuar mungesën e skanerit dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet spitalore.“Ne shkojmë për t’u vizituar te pneumologu, pneumologu ishte sëmurë vetë nga myku që ka aty, tha jam me ilaçe për vete! Te pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani!”, deklaroi Korreshi.
Energjia elektrike dhe investimet bujqësore
Një tjetër problematikë e ngritur prej tij ishte furnizimi me energji elektrike në zonën e Lushnjës. Duke e quajtur me ironi sistemin elektrik “uluktrik”, Korreshi tha se infrastruktura ekzistuese pengon edhe investimet në bujqësi, veçanërisht ndërtimin dhe funksionimin e serave. “Ka nevojë emergjente Lushnja për sistem uluktrik. Kush do të qeshë me sistemin uluktrik, mua m’u dogjën të gjitha pajisjet. Një kontratë për serën nuk e lidh dot që të çojë kabëll atje për ujë në pompë”, u shpreh ai.
Burimi: kohajone.com










