Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Koçiu: 1,25 miliardë lekë për strehimin social në 2027

Koçiu: 1,25 miliardë lekë për strehimin social në 2027
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu tha sot se me ligjin e ri për strehimin social 2027 zgjerohet mbështetja për strehim të përballueshëm, ndërsa garantohen më shumë siguri ekonomike dhe kushte më të mira jetese për çdo qytetar. Sipas saj, ky ligj i afron standardet shqiptare gjithnjë e më shumë me ato evropiane.

Duke njoftuar këtë lajm për të rinjtë, çiftet e reja dhe familjet shqiptare, Koçiu theksoi se ky është një hap konkret drejt “Shqipërisë 2030”, ku gjithnjë e më shumë familje ndërtojnë të ardhmen në shtëpinë e tyre.

Ligji i ri dhe buxheti 2027

“Me ligjin e ri për strehimin social, që sapo miratuam në Kuvend, dhe me projektbuxhetin e vitit 2027, po hapim mundësi të reja për shumë familje shqiptare, sepse e dimë sa e vështirë është sot të blesh një shtëpi. Për shumë të rinj, edhe pagesa e qirasë është një barrë e madhe”, tha Koçiu.

Sipas saj, çdo çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e parë do të ketë mundësi të përfitojë kredi me interes zero ose 3%.

Mbështetja për qiranë dhe blerjen

“Nëse jeton me qira, mund të përfitosh mbështetjen nga shteti deri në gjysmën e qirasë. Kemi edhe një risi interesante: një pjesë e qirasë që paguan çdo muaj mund t’i llogaritet për blerjen e shtëpisë ku jeton”, u shpreh ajo.

Koçiu theksoi se çdo program ka kriteret e veta, ndërsa për strehimin në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 1 miliard e 250 milionë lekë.

“Ndërsa me ligjin e ri krijojmë mundësi edhe për ndërtimin e lagjeve me banesa sociale dhe të përballueshme, me shkolla, kopshte dhe shërbime pranë. Sepse të kesh një shtëpi tënde nuk duhet të mbetet një ëndërr e largët. Duam që gjithnjë e më shumë të rinj dhe familje shqiptare të kenë mundësi ta bëjnë atë realitet”, u shpreh Koçiu.

/m.m/r.e/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha