Deputeti demokrat dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ka akuzuar mazhorancën se po bllokon qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar pa caktuar datë shqyrtimi.
Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e një pakete me katër nisma: shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshime në ligjin për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Kritika ndaj ligjit për Investimet Strategjike
Duke u ndalur te Investimet Strategjike, ai tha se pas 11 vitesh zbatimi, 98% e kontratave u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, ndërsa vetëm 2% lidhen me investitorë të huaj, mes të cilëve, sipas tij, edhe dy miq personalë të kryeministrit Edi Rama.
Po vërej sërish se nismat e opozitës vazhdojnë të mbeten pa një datë shqyrtimi. Kjo do të thotë se ju po vijoni me të njëjtën sjellje të vjetër: duke mbajtur në sirtar çdo nismë të opozitës dhe duke mos i marrë ato në konsideratë.
Dhe dua ta theksoj qartë: këto nuk janë thjesht nisma të Partisë Demokratike. Ato pasqyrojnë kërkesa të drejtpërdrejta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe lidhen drejtpërdrejt me kushtet për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në të gjitha këto ligje gjendet i njëjti model: përdorimi i ligjit për të vënë pronën, territorin dhe pasuritë publike në funksion të interesave private. Një model që ushqen favorizimin, zhvatjen dhe pasurimin e paligjshëm.
Pa përmendur këtu faktin se ky ligj është përdorur si instrument për pastrimin e parave të pista, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në bregdet.
Raporti i Komisionit Evropian dhe kontrolli parlamentar
Këlliçi lidhi kërkesën me Raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili, sipas tij, evidenton dobësimin e kontrollit parlamentar, mosfunksionimin demokratik të Kuvendit, shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe moszbatimin nga shumica të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste.
Institucionet nuk janë pronë e askujt. Dhe fundi politik i kësaj mënyre qeverisjeje tashmë dihet.
Debati me deputetët e Partisë së Lirisë dhe PS-së
Gjatë konferencës pati debat edhe mes deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe anëtarëve të mazhorancës. Blushi kërkoi tërheqjen nga rendi i ditës të akteve normative që lidhen me reagimin ndaj protestave.
Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeagjenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve.
Blushi debatoi edhe me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për agjendën e komisionit të Reformës Zgjedhore.
Kryeagjenda e Komisionit të Reformës të jetë vetëm hapja 100% e listave, Qeveria Teknike dhe presidenti nga populli. Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive, duhet t’i zgjedhë populli.
Burimi: top-channel.tv










