Nga Edi Rama, kryeministër *
Ju uroj një të diel të qetë, pas një vale tjetër dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, pikërisht në ballë të ushtrimit të dhunës urbane, dhe godina e saj u kthye në strehë politike e në pikë furnizimi me lëndë plasëse për dhunuesit e mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe nga të gjitha burimet e kësaj flake antidemokratike.
Jini të sigurt se edhe këtë flakë fatkeqësie jo natyrore do ta shuajmë patjetër.
Durim ndaj dhunuesve dhe përgjigje ndaj kërkesave legjitime
Nga njëra anë, me durim e vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të Antifas që glorifikojnë dhunën kudo në Europë dhe të duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në fakt, më shumë se studentë, përfaqësojnë vetë krimin e organizuar.
Dhe nga ana tjetër, duke iu përgjigjur kërkesës legjitime të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët me të drejtë presin më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë dhe më shumë garanci për meritën në punë.
Projekt-Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës, vjen me shumë risi pozitive pikërisht për familjet e zakonshme, për shërbimet ndaj qytetarëve dhe për të rinjtë e studentët.
Ndërkohë, pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë europianë, si dhe në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në modelin e adaptuar së fundmi prej tyre përballë të njëjtës flakë antidemokratike, bazuar gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.
Çdo masë e propozuar është në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe të ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.
Përgjegjësia është gjithmonë vetjake, masat e mundshme kufizuese janë të përkohshme e të arsyetuara, dhe çdo kufizim i rëndësishëm është i kontrollueshëm nga gjykata.
Gjashtë instrumentet e paketës ligjore
Paketa përbëhet nga 6 instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin.
Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël, një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin “Për tubimet”, një Regjistër Elektronik i Posaçëm për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Instrumenti i parë: akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël.
Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri.
Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjlit deri në minimumin 70% për më të mëdhenjtë – në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiro vjetore deri në 140 mijë euro.
Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tashmë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre.
Nga ana tjetër, ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, dhe për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara.
Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, përgjegjësia për mbulimin e pjesës së dëmit kalon te prindërit.
Instrumenti i dytë: ligj i ri sipas modelit francez “Kush thyen, paguan”.
Nëse akti normativ adreson dëmet e së shkuarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për “riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve” krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë “kush shkakton dëm, e paguan”, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive, ku vijnë si pasojë dëme materiale mbi pronën.
Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre.
Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht.
Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme, dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja.
Përjashtohen sigurisht nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm.
Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestari, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil, dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë.
Instrumenti i tretë: ndryshimet në ligjin “Për tubimet”.
Ligji “Për tubimet” është i vitit 2001 dhe nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë digjitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.
Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune e anarkie urbane.
Konkretisht: perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme.
Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore.
Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale.
Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë.
Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese, por edhe atyre që janë propozuar në Kodin Penal sipas normave të reja europiane.
Identifikimi i personave të maskuar.
Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.
Sanksione të parashikuara.
Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet dhe duke u penguar punën, shkollën, planin e tyre të ditës.
Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës; mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.
Së katërti: Regjistri i Posaçëm Elektronik.
Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet Regjistri i Posaçëm Elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.
Regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave.
Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji nr. 39/2025 “Për kontrollin e kufirit shtetëror” për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra.
Vendimi parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.
Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë bela për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë.
Së pesti: K
Burimi: abcnews.al










