Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se secili ka të drejtë të kërkojë largimin e tij dhe të protestojë kundër qeverisë, por theksoi se dorëheqja nuk mund të imponohet me dhunë.
“Të dashur miq, kjo paketë nuk përmban asnjë shpikje tipike shqiptare. Nuk ka asnjë pikë apo nen që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë. Në thelb të saj qëndron një e vërtetë shumë e thjeshtë: liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve. Kush nuk e do qeverinë apo dëshiron largimin tim, jo sot por që dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, ta propagandojë apo ta kthejë në protestë këtë dëshirë. Këtu qëndron detyra ime dhe e qeverisë, për të garantuar se protesta e kujtdo që dëshiron një qeveri tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni. Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që dëshiron të më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë dhe kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Kush kërkon dorëheqjen time gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo me çdo formë tjetër. Përtej këtij kufiri unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga çdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa, ndërsa shteti ka për detyrë t’i tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private që kërcënon rendin dhe sigurinë”, tha Rama
Burimi: shqiptarja.com










