Nga foltorja e Ripërtëritjes në Durrës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për protestat e studentëve dhe zhvillimet politike në vend. Ai deklaroi se në përballjen mes pushtetit dhe qytetarëve, fjala e fundit i përket sovranit.
Krahasimi me vitet ’90
Berisha e cilësoi qeverisjen “narkodiktaturë” dhe e krahasoi situatën politike me periudhën e fundit të regjimit komunist. Ai i kujtoi protestat studentore të dhjetorit 1990 dhe mënyrën se si studentët kishin zgjedhur vetë përfaqësuesit e tyre.
“Në qoftë se kthehemi bashkë me ata që kanë memorie, u kërkoj ndjesë të rinjve që janë fatlumë që nuk i njohin ato vite, por në qoftë se kthehemi pas jo në vitet e zeza, por në vitet ’90, krahasojmë disa zhvillime. Edhe atëherë studentët u ngritën kundër regjimit. Regjimi ishte i dyzuar, të përdorë forcën apo të kërkojë marrëveshje me ta. Regjimi, për të shmangur një skenar të Bukureshtit, vendosi të negociojë me ta.
Por një gjë, ishin studentët ato dy ditë me datën 10 dhe 11 dhjetor të vitit 1990, që zgjodhën përfaqësuesit e tyre. U mblodhën në ato salla dhe votonin njëri-tjetrin, zgjidhnin njëri-tjetrin dhe nuk ua zgjodhi njëri. Imagjinoni këtë të sotmin. Pasi theu kafka, theu gjymtyrë, u dha plumbin e gomës në lule të ballit, pasi përdori të gjitha mjetet kundër tyre, i zgjodhi si hijenë një grusht studentësh dhe u shfaq aty ku diktatori i fundit komunist u shfaq me studentët”, tha Berisha.
Protesta e 28 Nëntorit dhe thirrja për bashkim
Kreu i PD-së u ndal edhe te protesta e 28 Nëntorit, duke thënë se këtë vit shqiptarët do ta nderojnë Flamurin në një mënyrë të veçantë.
“Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do t’i kesh në shesh të pamposhtur. Data 28 Nëntor po vjen, Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se askush nuk fiton duke qëndruar veçmas.
“Ftoj nga Durrësi të gjithë shqiptarët, ftoj të gjitha forcat politike opozitare që ndjehen opozitare, të krijojmë një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen e fundit këtij regjimi çnjerëzor anti-shqiptar. Për të hapur rrugët e shpresës, për të hapur mundësinë që shqiptarët të votojnë të lirë, të zgjedhin më të mirët e më të mirëve që besojnë.
U rrit vetëm Partia Demokratike gjatë këtyre gjashtë muajve. Pse?
Se mbajti qëndrimet më të ndershme, sepse që në fillim deklaroi: Armiku i armikut tim është aleati im në luftë kundër të keqes. Një parim i përdorur nga romakët që nga lashtësia romake e gjer sot para rreziqeve ekzistencialë.
Ripërtëritjen ta konceptojmë si detyrim madhor për secilin prej nesh, për të shtrirë dorën dhe të bëjmë gjithçka për frontin më të gjerë e më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria kundër këtij rreziku madhor ekzistencial dhe ju garantoj se do fitojmë”, nënvizoi Berisha.
Burimi: tirananews.al










