Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Berisha: Kuvendi nuk mund të votojë dekretin e pezulluar nga Kushtetuesja

Berisha: Kuvendi nuk mund të votojë dekretin e pezulluar nga Kushtetuesja
Foto: ata.gov.al

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka kundërshtuar sot në Kuvend shqyrtimin e dekretit të qeverisë për tubimet.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, e cila vijoi që nga ora 10:00, Berisha e cilësoi shqyrtimin e aktit të qeverisë si shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësorit.

Kompetenca e Kuvendit

Berisha u shpreh se Parlamenti nuk ka kompetencë të shqyrtojë një akt të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se institucionet duhet t’i nënshtrohen vendimit të kësaj gjykate.

“Parlamenti nuk mundet në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përbën asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë së pushtetit gjyqësor”, deklaroi Berisha.

Procedura e votimit

Ai shtoi se dekretet e qeverisë miratohen nga Kuvendi në tërësi, pa pasur mundësi që deputetët të ndërhyjnë për të ndryshuar dispozitat e tyre.

“Dekretet e qeverisë ose miratohen si tekst integral, siç janë, dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen. Kushtetuta nuk i lejon Parlamentit ta ndryshojë dekretin. Në këtë rast ne duhet t’i nënshtrohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nenin 5, pikën 2, e ka pezulluar”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha theksoi se, për sa kohë Gjykata Kushtetuese ka pezulluar një prej dispozitave të dekretit, ky i fundit nuk mund të kalojë për votim në Kuvend.

“Dekreti nuk mund të votohet që në këtë moment që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar një nen të tij. Ai nuk kalon në Parlament”, deklaroi kreu i PD.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha