Studentët pritet të zhvillojnë sot një protestë kombëtare para Ministrisë së Arsimit, ku pritet të jenë të pranishëm edhe pedagogët.
Me anë të një njoftimi, u është bërë thirrje pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve që të bashkohen në marshimin e organizuar në shenjë solidariteti me studentët. Mbledhja do të nisë në orën 13:00, me grumbullimin e pjesëmarrësve përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, ndërsa më pas marshimi do të vazhdojë drejt Ministrisë së Arsimit.
Kërkesat e protestuesve
Sindikata ka bërë të ditur se mbështetja për protestën lidhet me kërkesat për një arsim më cilësor, ruajtjen e dinjitetit dhe garantimin e të drejtave të studentëve dhe komunitetit universitar.
“PROTESTË STUDENTORE – 21 NËNTOR
Universitetet e Shqipërisë mbështesin protestën e studentëve dhe ftojnë të gjithë pedagogët dhe punonjësit e universiteteve që dëshirojnë t’i bashkohen marshimit.
E shtunë, 21 nëntor, ora 13:00, mblidhemi përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, për të marshuar drejt Ministrisë së Arsimit. Në solidaritet me studentët, për arsim cilësor, dinjitet dhe të drejta!” – thuhet në njoftim.

Takimi me kryeministrin
Kryeministri Edi Rama njoftoi se ka zhvilluar një takim me disa studentë, ku, sipas tij, është diskutuar për problemet dhe shqetësimet e të rinjve. Rama nuk ndau detaje të tjera mbi debatin e zhvilluar, pasi, sipas tij, është rënë dakord me studentët që të mos publikohet në këtë moment.
Burimi: lajmifundit.al










