Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

BE sanksionon banka serbe dhe tre ndërmarrje për ndihmën ndaj Rusisë

BE sanksionon banka serbe dhe tre ndërmarrje për ndihmën ndaj Rusisë
Foto: reporteri.al

Komisioni Europian ka propozuar sanksione ndaj një banke dhe tre kompanive nga Serbia, me arsyetimin se ato po ndihmojnë Rusinë.

Banka dhe kompanitë e përfshira

Banka API ka ofruar shërbime pagesash ose shërbime të lidhura me asetet kripto, duke e ndihmuar Rusinë t’u shmanget ndalesave europiane. Banka operonte me humbje para pushtimit rus, ndërsa pas vitit 2022 nisi të regjistronte fitime në miliona euro.

Tri kompanitë e tjera janë identifikuar si subjekte që kanë eksportuar drejt Rusisë mallra me përdorim të dyfishtë, të cilat mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

Masat e reja ndaj sektorëve financiar dhe energjetik

Me propozimin e ri, Komisioni Evropian synon ta zgjerojë ndalimin e transaksioneve me rreth 60 banka ruse, të cilat do të përjashtoheshin nga sistemi ndërkombëtar bankar SWIFT. Në shënjestër janë edhe rrjetet e kriptovalutave dhe të pagesave në Rusi, si dhe vendet e treta që e ndihmojnë Moskën t’u shmanget ndalimeve.

Për herë të parë, sanksionet pritet të përfshijnë edhe shërbimet në sektorin e energjisë elektrike, ndalimin e hyrjes në BE për ish-luftëtarët rusë dhe ndalimin që shtetasit e BE-së të jenë pjesë e organeve drejtuese të kompanive në Rusi.

Sporti dhe kultura

Masat pritet të përfshijnë edhe sportin dhe kulturën. Ekipet dhe sportistët rusë nuk do të mund të garojnë nën flamurin rus në ngjarjet sportive në BE, ndërsa do të kufizoheshin edhe transferet financiare nga sponsorët rusë drejt organizatave sportive dhe kulturore evropiane.

Procesi i miratimit

Shtetet anëtare duhet ta shqyrtojnë dhe miratojnë paketën e 22-të të sanksioneve të propozuar nga Komisioni Europian në Këshillin e BE-së. Për vendimin politik kërkohet unanimitet.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha