“Po si more, keni pushuar Kujtim Laron, e dini ju se kush është ai?” – Dëshmia e rrallë e ish-ministrit për largimin nga puna të kompozitorit të madh
Ishte një proces që kërkonte jo vetëm angazhim politik e diplomatik, por edhe reforma të thella në të gjitha strukturat e shtetit, veçanërisht në Forcat e Armatosura. Nga Brukseli, ambasadori ynë në NATO, Ilir Boçka, na kishte dërguar pyetjet e ambasadorëve. Një libër i tërë me pyetje, secila prej tyre duke kërkuar përgjigje të argumentuara, deri edhe në hollësitë më periferike. Ndaj isha tërësisht i përqendruar, pasi takimi ishte i një rëndësie të madhe, dhe kërkonte seriozitet dhe vëmendje të veçantë.
Pikërisht në një nga ato ditë, ndërsa isha në takim me grupin e punës, me të cilin do të shkoja në Bruksel, Flutura, sekretarja e ministrit, më njoftoi se kishte ardhur poeti Xhevahir Spahiu dhe kërkonte të më takonte medoemos.
– “Nuk iki që këtej pa takuar ministrin, sikur të bëhet nami!” – i kishte thënë poeti, kur sekretarja u përpoq ta bindte se isha i zënë. Xhevo, siç e thërrasin më të afërmit poetin e dashurive dhe rrebesheve të mëdha, nuk mund ta pengonte asnjë axhendë. M’u desh ta ndërprisja mbledhjen dhe t’u kërkoja ndjesë të pranishmëve. – “Le të vijë”, i thashë Fluturës. – “Për poetët si Xhevo dyert janë gjithmonë të hapura.” Unë me të njihesha që kur isha student, dhe poezinë e tij e kisha pasur temë të mbrojtjes së diplomës. Ndaj nuk prita që ai të hynte në zyrë; u ngrita dhe shkova drejt derës ta prisja. Por nuk më la as atë mundësi. Hyri gjithë tërsëllimë, si një rrebesh që nuk paralajmëron.
E kuptova menjëherë se diçka e madhe e kishte trazuar. Ishte vërtet i zemëruar dhe nuk kishte ndër mend ta fshihte zemërimin. – “Ore, jeni në vete ju apo jo?!” – shpërtheu, pa pritur as të ulej. – “Po si more, keni pushuar nga puna Kujtim Laron?! E dini ju se kush është Kujtim Laro? Po çfarë është një ministër, apo çfarë janë të gjithë ministrat bashkë me kryeministrin, para një artisti si Kujtim Laro?!”
– “Eja, more Xhevo, ulu e të flasim shtruar. Të pimë edhe një kafe, se është një problem që zgjidhet”, i thashë, për ta qetësuar.
Unë e dija se çfarë përfaqësonte emri i Kujtim Laros për muzikën dhe kulturën tonë. Muzika e tij e kishte bërë jo vetëm shumë të njohur, por edhe shumë të dashur për mua. Ia njihja pothuajse të gjitha këngët, dhe dija cilëve filma u kishte dhënë përmasa të jashtëzakonshme artistike me muzikën e tij: “Lulëkuqet mbi mure”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Në fillim të verës”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, e të tjerë. Krijimtaria e tij ishte bërë pjesë e kujtesës sime, ashtu si e shumë shqiptarëve. Dija gjithashtu se për shumë vite ai kishte qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Ushtrisë, por nuk e dija se e kishin larguar nga puna.
Ndaj, nën peshën e rrebeshit të Xhevos, thirra Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Pëllumb Qazimin, një koleg dhe bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm, ushtarak me shumë autoritet. – “Eja, gjeneral, eja e shuaje zemërimin e Xhevos, se unë i vetëm nuk ia dal dot!”
– “Në fakt, zoti ministër, largimi nga puna i Kujtim Laros ka qenë një gabim”, nisi shpjegimin gjeneral Qazimi. – “Për shkak të detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit në NATO, jemi të detyruar të reformojmë dhe ristrukturojmë të gjitha Forcat e Armatosura. Ky proces përfshin edhe shkollat ushtarake, Akademinë, Spitalin Ushtarak, Ansamblin Artistik të Ushtrisë dhe Klubin ‘Partizani’. Në këtë kontekst është shkrirë edhe Ansambli i Ushtrisë”, duke më sqaruar se kompozitori ishte larguar pak kohë para se unë të emërohesha ministër.
– “Po pse, more gjeneral, Kujtim Laron gjetët ju të bënit kurban të reformës?!” shkreptiu Xhevo.
– “Nuk është përgjegjësi e gjeneralit, i dashur Xhevo”, ndërhyra unë. “Por mos u mërzit, është një problem që do ta zgjidhim.” Pastaj i thashë gjeneralit se duhej të gjenim çdo mundësi për ta ndrequr gabimin. Pas Gaqo Avrazit, një nga artistët themelues të Ansamblit, emri i Kujtim Laros ishte sinonim i vetë asaj trupe. Nderimi për Kujtim Laron ishte, në të njëjtën kohë, nderim për Ansamblin, për historinë, traditën dhe identitetin e tij artistik.
– “Xhevo, gjenerali do ta zgjidhë problemin dhe Kujtim Laro do të rikthehet në punë.” Edhe pse dallgët e zemërimit të poetit po tërhiqeshin, retë ishin ende mbi të. – “Mirë, por kam edhe një problem tjetër”, vijoi Xhevo, këtë herë me ton më të qetë. – “Shpraze edhe koburen e dytë”, i thashë, me sytë të fiksuar mbi ballin e dallgëzuar të poetit, sepse atë që ka në shpirt, Xhevos mund t’ia lexosh mbi ballë.
– “Pano Taçit duhet t’i japësh dëshminë e veteranit të Luftës, sepse padrejtësisht ia kanë refuzuar. Ka qenë nga debatikasit e parë të Luftës!” Panon, poetin e lirikës erotike, edhe unë e kisha mik. Dhe vetëm pasi u bind se shqetësimet e tij do të zgjidheshin, Xhevo na hapi udhë që, së bashku me gjeneral Qazimin, të bisedonim edhe për Malindin, për Skraparin e tij dhe Martaneshin tim.
Ai u bind, dhe në fund Xhevo nuk humbi kohë: i telefonoi Kujtim Laros për t’i thënë se e kishte zgjidhur problemin dhe se do të rikthehej në punë. Veç ta shihje çfarë drite iu përhap në fytyrë nga gëzimi që i jepte një lajm të mirë mikut të tij. Ishte gëzimi i njeriut që nuk kishte ardhur të kërkonte diçka për vete, por të mbronte një mik dhe një artist të cilin e çmonte thellësisht.
Kështu u rikthye në punë kompozitori Kujtim Laro. Si kujtim të atij momenti, ruaj në dosjet e mia urdhrin e firmosur nga gjeneral-major Pëllumb Qazimi për emërimin në punë të nënkolonel Kujtim Laros. Me rikthimin e tij, nuk u gëzuan vetëm Xhevo, Kujtimi dhe familja e tij. U gëzuan edhe shumë artistë e ushtarakë, sepse gëzimi i tyre kishte të bënte më pak me pagën modeste të Kujtimit, sesa me dinjitetin e tij si artist dhe me korrigjimin e një padrejtësie të bërë përmes një veprimi administrativ të nxituar.
Ndërsa unë fitova edhe një mik, një artist me emrin e Kujtim Laros. Disa ditë pasi kishte filluar punë, e telefonova dhe e ftova për një kafe në një nga lokalet e Tiranës, jo në zyrën e ministrit, që të ishim më të lirë me njëri-tjetrin. – “Nuk ke pse më falënderon”, i thashë, pa e lënë të shqiptonte as një fjalë falënderimi. – “Përkundrazi, unë duhet të falënderoj ty që pranove të rikthehesh. Emri dhe puna jote na bëjnë nder të gjithëve. Ndaj, falëndero Xhevahirin”, i thashë duke qeshur.
Biseduam gjatë, dhe biseda u përqendrua te muzika: procesi i tij krijues, mënyra se si lindnin kompozimet e tij, muzika e filmave tanë dhe këngët e shkruara mbi poezitë e Xhevahir Spahiut. Kujtim Laro nuk ishte nga ata që flasin shumë për veten.
Burimi: shqiptarja.com










