Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Emigrimi: 28% e shqiptarëve kanë plan konkret për t’u larguar

Emigrimi: 28% e shqiptarëve kanë plan konkret për t’u larguar
Foto: albeu.com

Emigrimi mbetet një plagë e hapur, edhe pse popullsia vendase po zvogëlohet dhe potenciali për të dhënë emigrantë ka rënë.

Rritja e dëshirës për të ikur

Por anketa SecuriMeter 2026 e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal tregon një rikthim të lehtë të shqiptarëve që kanë tashmë një ide dhe plan për t’u larguar.

Përqindja u rrit pak, nga 27,2% në vitin 2025 në 27,6% në vitin 2026. Brenda këtij grupi, u shtuan ata që e mendojnë ende në mënyrë të paqartë largimin.

Hapat konkretë drejt largimit

Përqindja e të anketuarve në Shqipëri që kanë hartuar një plan, por ende nuk kanë filluar përgatitjet për t’u larguar, ra pak. Pjesa e atyre që kanë nisur të ndërmarrin hapa konkretë u rrit pak, nga 5,6% vitin e kaluar në 5,8% këtë vit.

Rreth dy të tretat e të anketuarve në Shqipëri, 67,9%, thanë se nuk duan të zhvendosen jashtë vendit, nga 69,9% në vitin 2025. Rënia prej dy pikë përqindjeje u shoqërua kryesisht me një rritje të atyre që nuk dhanë përgjigje, nga 2,9% në 4,5%.

Krahasimi me rajonin

Në Ballkanin Perëndimor, pjesa e të anketuarve që po e mendojnë largimin u rrit nga 27,3% në 29,3% në 2026. Në Shqipëri, pjesa e atyre që kanë hartuar një plan ose kanë nisur hapa konkretë është më e lartë, 16,2% kundrejt 11% në rajon.

Shpopullimi dhe emigrimi janë ndër shqetësimet më të përhapura në Shqipëri. Në një pyetje të veçantë, 95,1% e të anketuarve shprehën shqetësim për këto dy çështje, kundrejt 78,2% në rajon.

Dallimet mes brezave

Në të gjashtë vendet së bashku, 58,1% e të anketuarve të moshës 18–24 vjeç po e mendonin largimin. Në këtë grupmoshë, 28,7% kishin hartuar një plan ose kishin nisur të ndërmerrnin hapa.

Destinacionet e preferuara

Ndër të anketuarit në Shqipëri që po mendojnë të largohen për të jetuar dhe punuar jashtë, 56,2% do të zgjidhnin një vend të Bashkimit Evropian, kundrejt 44,6% në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm në Kosovë preferenca për BE-në ishte më e lartë, me 60,3%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ishte 52,4%.

Shqipëria kishte përqindjen më të lartë në rajon edhe për dy destinacione të tjera. SHBA-ja, Kanadaja dhe Australia, të grupuara në një kategori, u zgjodhën nga 22,5% e të anketuarve që po mendojnë largimin, kundrejt 14,2% në rajon.

Mbretërinë e Bashkuar do ta zgjidhnin 14,6%, më shumë se tre herë mesatarja rajonale prej 4,6%. Një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor ishte zgjedhja e vetëm 1,1% të këtij grupi në Shqipëri, kundrejt 6,1% në rajon.

/ Monitor

Emigrimi: 28% e shqiptarëve kanë plan konkret për t'u larguar

 

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha