Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Unaza e një mbijetuareje të Titanikut shitet për 165 000 dollarë

Unaza e një mbijetuareje të Titanikut shitet për 165 000 dollarë
Foto: ata.gov.al

LONDËR, 22 nëntor /ATSH-DPA/ – Një unazë me diamant, e mbajtur nga një prej të mbijetuarave më të njohura të fundosjes së anijes “Titanic”, u shit për 165 000 dollarë në një ankand në Britaninë e Madhe.

Lady Duff Gordon e mbante këtë unazë me diamant në gisht kur anija luksoze e pasagjerëve u fundos gjatë udhëtimit të saj të parë, më 15 prill 1912. Tragjedia i kushtoi jetën rreth 1 500 personave.

Kjo ishte e vetmja bizhuteri me vlerë që ajo arriti të shpëtonte nga fundosja e anijes.

Brenda familjes Duff Gordon ajo njihej si “Unaza e Titanic-ut” dhe besohet se ka qenë unaza e saj e fejesës.

Shitja në ankand

Pasardhësit e drejtpërdrejtë të familjes e nxorën unazën në shitje dhe ajo u hodh në ankand të shtunën në shtëpinë e ankandeve “Henry Aldridge & Son” në Devizes, Wiltshire.

Evakuimi i pasagjerëve

Në vitin 1912, lady Duff Gordon udhëtonte drejt SHBA-së së bashku me bashkëshortin e saj, sir Cosmo, si pasagjerë të klasit të parë.

Gjatë evakuimit, çifti dhe sekretarja e tyre, Laura Mabel Francatelli, shpëtuan me varkën e shpëtimit numër 1.

Ndonëse varka ishte projektuar për të mbajtur 40 persona, ajo u ul në det me vetëm 12 vetë në bord, shtatë prej të cilëve ishin anëtarë të ekuipazhit.

Më vonë, në bordin e anijes së shpëtimit “RMS Carpathia”, sir Cosmo i dha secilit prej anëtarëve të ekuipazhit të varkës një çek prej 5 paundësh për t’i ndihmuar, pasi kompania “White Star Line” u kishte ndërprerë pagat.

Ky veprim nxiti thashetheme se çifti kishte korruptuar ekuipazhin që të mos kthehej për të shpëtuar të mbijetuarit e tjerë në ujë, nga frika se varka mund të përmbytej.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha