Industria muzikore australiane është në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Molly Meldrum, një nga figurat më të rëndësishme të muzikës në Australi, i cili për dekada me radhë ndikoi në formësimin e shijeve muzikore të publikut dhe promovoi artistë që u bënë emra të njohur ndërkombëtarisht.
Meldrum, emri i vërtetë i të cilit ishte Ian Alexander Meldrum, u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të së hënës, në një spital në Melburn, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmin e konfirmuan familjarët e tij.
Promovuesi i muzikës australiane
I njohur nga publiku me nofkën “Guru”, Meldrum ishte një nga promovuesit më të mëdhenj të muzikës australiane. Ai luajti një rol të rëndësishëm në karrierën e grupeve dhe artistëve vendas, si INXS dhe Kylie Minogue, ndërsa mbështeti dhe promovoi edhe emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare, përfshirë grupin ABBA.
Karakteri i tij i veçantë, mënyra shpesh kaotike e të sjellurit dhe kapela e tij karakteristike Stetson e bënë një figurë të paharrueshme për publikun. Gjatë karrierës, ai intervistoi personalitete të shumta, nga Mbreti Charles deri te Elton John. Ky i fundit e cilësoi Meldrum si “ndikimin e vetëm më të rëndësishëm në muzikën pop australiane”.
Emisionet televizive
Për dekada me radhë, ai ishte drejtues i emisionit muzikor “Countdown” në televizionin publik australian ABC, duke u kthyer në një figurë kyçe për promovimin e artistëve dhe muzikës së re. Më vonë, ishte gjithashtu pjesë e programit të varieteteve “Hey Hey, It’s Saturday”.
Një nga intervistat e tij më të famshme mbetet ajo e vitit 1977 me Mbretin Charles, i cili atëherë ishte Princ i Uellsit. I emocionuar dhe dukshëm nervoz përballë tij, Meldrum u ngatërrua disa herë gjatë intervistës, duke thënë me humor: “Lartësia Juaj Mbretërore… Oh, oh, po djersij si derr”.
Vite më vonë, Charles iu rikthye kësaj interviste në një program special për 40-vjetorin e “Countdown”, duke u shprehur me humor: “Ekziston një shprehje e vjetër në botën e spektaklit që paralajmëron të mos punosh kurrë me kafshë apo fëmijë. Por askush nuk më kishte përgatitur për Molly Meldrum”.
Jeta e mëvonshme
Në vitin 2011, Meldrum pësoi një dëmtim të rëndë në tru, pasi ra nga një shkallë. Pasojat e kësaj rënie i mbajti për pjesën tjetër të jetës.
Burimi: indeksonline.net










