Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Studentët hartojnë projekte për restaurimin e monumenteve në Gjirokastër

Studentët hartojnë projekte për restaurimin e monumenteve në Gjirokastër
Foto: kultplus.com

Kalaja e Gjirokastrës mirëpriti ekspozitën përmbyllëse të projekteve të studentëve pjesëmarrës në Kampin e Restaurimit 2026 – Regional Living Lab, pjesë e projektit evropian BAUHAUS4EU 2026–2027.

Kampi dhe rezultatet e studimit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin mes ekspertizës profesionale dhe brezit të ri, duke krijuar baza për projekte konkrete restaurimi të monumenteve të rrezikuara.

Gonxhja theksoi se “studentët, nën udhëheqjen e specialistëve, dokumentuan dhe studiuan tetë banesa monumente kulture, Kishën e Shën Kollit në Saraqinisht dhe Banesën Zahari Sterio në Derviçan”.

Gjatë punës studimore u ndërthurën teknologjitë 3D me mjeshtërinë tradicionale, me synim dokumentimin dhe evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Kampi u organizua nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në bashkëpunim me Universitetin dhe me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër.

Program i ri për vitin 2027

Ministri Gonxhja bëri të ditur se kjo nismë do të pasohet nga një program në vitin 2027, i cili do të fokusohet në shpëtimin, restaurimin dhe rijetëzimin e banesave dhe objekteve monumente kulture.

Sipas tij, ky program do të mbështetet edhe nga rritja me 80% e buxhetit për trashëgiminë kulturore.

“Më shumë investime për ruajtjen e trashëgimisë dhe përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm. Trashëgimia ruhet me dije, shpëtohet me veprim dhe jeton përmes brezave!”, u shpreh Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha