Numri më i ri, i shtatëmbëdhjeti, i revistës letrare dhe kulturore PEN Kosova doli nga shtypi këto ditë. Revista përmban punime të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, origjinale dhe të përkthyera, kryesisht prozë, poezi, ese, përkthime, ligjërata të nobelistëve etj.
Poezia dhe proza
Revista hapet me poezitë dhe prozat poetike të Anne Carson, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi 2026, përkthyer nga Avni Spahiu, për të vazhduar me poezitë e poetëve Mustafë Xhemaili, Lulzim Tafa, Engjëll I. Berisha dhe Arben Veselaj. Në rubrikën e prozës botohen tregimet e prozatorëve: Nexhat Halimi (“Rrjedha e gjakut në prag të shtëpisë”), Binak Kelmendi (“Vdekja e Atkinës”), Enver Visoka (“Dhuna e dheut”) dhe Sevdail Zejnullahu (“Pragu”), pastaj proza e nobelistit Elias Kaneti me titullin “Historie një dashurie”, përkthyer nga Naim Kryeziu, si dhe tregimi “Historia e një ore”, e shkrimtares Kate Shopin, përkthyer nga Butrint Berisha.
Esetë dhe studimet
Në këtë numër, me ese dhe studime prezantohen Avni Spahiu (“Noli: pikëpanje shqipe”) dhe Ibrahim Berisha (“Realizmi dhe surrealizmi intelektual”). Ndërkaq, te rubrika e esesë së përkthyer prezantohet Pierre Nora (“Ndërmjet kujtesës dhe historisë”), përkthyer nga Demë Topalli.
Intervista dhe rubrika e nobelistëve
Intervistën me shkrimtarin Burhan Sonmez, kryetar i PEN International, e ka bërë Fahredin Shehu. Ndër të tjera, në këtë bashkëbisedim trajtohen çështje që kanë të bëjnë me misionin e PEN International, roli i shkrimtarit si dëshmitar, arti si fiksion, e ardhmja e fjalës së shkruar etj.
Në rubrikën e rregullt të revistës, Nobelisti i Letërsisë kësaj radhe është Mario Vargas Llosa, i cili u nderua në vitin 2010 me Çmimin Nobel për Letërsi. Ligjërata e tij me titullin “Në lavdërim të leximit dhe fiksionit” është përkthyer nga Avni Spahiu.
Botimi i revistës është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










