Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

National Geographic i kushton reportazh Vjosës dhe jetës përgjatë lumit

National Geographic i kushton reportazh Vjosës dhe jetës përgjatë lumit
Foto: kultplus.com

Vjosa, peizazhet e saj të veçanta, biodiversiteti dhe mundësitë që i ofron komuniteteve lokale qëndrojnë në qendër të një reportazhi të revistës prestigjioze ”National Geographic”, që ndjek një udhëtim nga burimi i lumit deri në derdhjen e tij në det.

Eksploruesi i ”National Geographic”, Nick St. Oegger, përmes këtij reportazhi sjell bukuritë natyrore dhe vlerat ekologjike të lumit Vjosa.

Një lum i lirë përgjatë Shqipërisë

Reportazhi pasqyron bukurinë natyrore të Vjosës, e cila përshkon mbi 250 kilometra në territorin shqiptar. Lumi ruan rrjedhën e tij të lirë, pa diga, dhe luan një rol të rëndësishëm në jetën e banorëve të zonës.

”Hera e parë që pashë Vjosën, nuk e kuptova se po shihja një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Të ndjekësh Vjosën përmes Shqipërisë do të thotë t’i afrohesh diçkaje të rrallë, një lum që rrjedh sipas rregullave të veta. Një lum i egër, pa diga, që vazhdimisht riformëson tokën dhe njerëzit përreth tij. Vjosa hap rrugën, duke përshkuar mbi 250 kilometra nga burimi deri në det. Kur je pas timonit, ti e ke kontrollin.

Gjithçka funksionon në harmoni, por Vjosa rrjedh e lirë.

Dhe gjithmonë shfaqet një kthesë tjetër, një grykë tjetër, një peizazh tjetër. Pas qytetit të Përmetit, lugina ngushtohet dhe Vjosa shton shpejtësinë, duke rrjedhur drejt Grykës së Këlcyrës. Këtu takoj Zamon dhe Almën, sipërmarrës vendas që kanë ngritur një biznes raftingu, duke shfrytëzuar rrymat e ndryshueshme të Vjosës.

Turizmi dhe jeta e komunitetit

”Vjosa është tejet e rëndësishme për banorët e zonës. Potenciali i saj turistik krijon mundësi për shumë familje. Rreth 400 familje përfitojnë të ardhura nga aktivitete si raftingu dhe kajaku në Vjosë”, thotë Zamoja.

Vjosën nuk mund ta kontrollosh, sepse duhet të dish të lexosh rrymën dhe të përshtatesh me natyrën e saj të lirë. Sa më gjatë të udhëtosh përgjatë Vjosës, aq më shumë vëren se e njëjta mjeshtëri përshkon të gjithë luginën: njohuri dhe tradita të trashëguara ndër breza, me një artizanat me rrënjë në trashëgimi, të krijuar nga duart e njerëzve me saktësi dhe përkushtim.

Delta dhe laguna e Nartës

Pas disa kthesave të tjera, Vjosa takon detin. Kam mbërritur në Lagunën e Nartës, në deltën e Vjosës. Këtu peizazhi është më i qetë, me zona të lagështa dhe hapësira ujore, të formuara nga takimi i tokës me detin. Në lagunë takoj Jonin, një ekolog vendas që e njeh këtë vend në çdo detaj.

”Lumi Vjosa ndryshon gjatë rrjedhës së tij, duke sjellë sedimente që grumbullohen këtu dhe krijojnë gjithë këtë mjedis madhështor. Pjesa më e veçantë janë zogjtë. Këtu numërohen më shumë se 200 lloje shpendësh. Kur njerëzit vinin këtu, mund të shihnin mijëra flamingo që fluturonin mbi kokat e tyre”, thotë Joni.

Kur e fillova udhëtimin tim, po ndiqja rrjedhën e një lumi malor. Që atëherë e kam parë të marrë forma të shumta, duke kaluar përmes grykave të thyera, fushave me rrjedha të ndërthurura dhe zonave të gjera ligatinore.

Kur je në rrugë, ti e ke kontrollin. Por sapo zbret nga makina, peizazhi merr drejtimin, duke të kujtuar menjëherë se çfarë do të thotë vërtet “e egër”, thotë eksploruesi i ”National Geographic”, Nick St. Oegger./atsh/KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha