Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Ushqimet që forcojnë kockat dhe muskujt sipas natyropatit Altin Joka

Ushqimet që forcojnë kockat dhe muskujt sipas natyropatit Altin Joka
Foto: shqiptarja.com

Lëvizja është jeta e organizmit, ndërsa jetëgjatësia duhet parë te këmbët! Nutricionisti Altin Joka shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV rëndësinë e muskujve dhe kockave, si dhe sinjalet që ato na japin kur në trupin tonë ka probleme.

“Jetëgjatësia është te këmbët! Investimi te kockat dhe muskujt është gjëja më e rëndësishme. Sot njeriu po plaket duke qëndruar pa lëvizur. Trupi jep sinjale të qarta për problematikat që vijnë më pas. Këmbët janë laboratori kryesor i organizmit. Ato na japin sinjale për kockat, muskujt, trurin, zemrën, por edhe për nivelin e energjisë sonë. Muskujt janë një organ endokrin. Ata prodhojnë elemente sinjalizuese që komunikojnë sidomos me trurin dhe indet dhjamore. Muskujt janë përgjegjës për përthithjen e sheqerit në gjak. Në studime të ndryshme është parë që personat që kanë diabet dhe bëjnë sport kanë insulinë shumë më të ulët në gjak. Disa studime të tjera kanë arritur në përfundimin se, nëse ecim më shumë, ulet vdekshmëria deri në 12 për qind, ndërsa nëse bëjmë sport, vdekshmëria ulet me 15 për qind”, u shpreh Joka.

Shenjat që na japin këmbët kur në trupin tonë ka probleme

Kur dobësohen muskujt, shfaqen pasoja dhe probleme me osteoporozën, me mbajtjen e lëngjeve, probleme neurologjike, madje edhe probleme me ankthin.

Nëse ju djegin këmbët ose ndjeni shpim në shputë, kjo tregon neuropati periferike, mungesë të vitaminës B12 ose mund të jetë sinjal i problemeve nervore.

Enjtja lidhet me probleme në mëlçi, veshka ose zemër, ose mund të shfaqet nëse keni marrë shumë medikamente për tensionin.

Këmbët e ftohta dhe dhimbjet në pulpa mund të tregojnë sëmundje të arterieve koronare dhe probleme me zemrën.

Kur këmbët janë të lodhura, mund të keni mungesë hekuri.

Kur keni ngërçe, mund të keni mungesë mineralesh.

Ushqimet, ja çfarë duhet të konsumojmë për të ndërtuar muskuj dhe kocka të mira

Sardelet dhe skumbria kanë acide yndyrore Omega dhe vitaminë D.

Vezët e fshatit përmbajnë proteinë, kolinë, vitaminë B12 dhe vitaminë D.

Kosi, kefiri dhe gjiza janë baza e sistemit imunitar dhe lidhen me kockat.

Thjerrëzat dhe fasulet janë proteinat bimore më të rëndësishme. Kanë fibra, magnez dhe kalium.

Panxhari i kuq ka nitrate natyrore.

Shega ndihmon te mitokondritë e dëmtuara.

Sallatat jeshile, spinaqi dhe rukula janë shumë të këshillueshme.

Qershitë janë ndër më të mirat për kockat dhe reduktojnë dhimbjet muskulore.

Farat e kungullit, arroret, boronicat dhe frutat e pyllit janë ushqime të rekomanduara.

Kakaoja e pastër ka elemente që ndikojnë në funksionin muskulor.

Xhinxheri, shumë i mirë, shafrani i Indisë, trëndafili i egër dhe bishti i kalit janë bimët që mund të përdorni.

Po pesha, a ndikon te muskujt?

Duhet parë nëse keni masë muskulore apo dhjamë! Sarkopenia është humbja e cilësisë së masës muskulore. Ndodh që të ketë rezistencë anabolike. Proteinat që ne marrim përthithen në zorrë dhe, nga gjaku, kalojnë te muskujt. Nëse në zorrë ato nuk përthithen mirë, do të kemi probleme me përthithjen e lëndëve ushqyese.

Testoni muskujt tuaj!

Nëse nuk ngriheni më si më parë, nëse shkallët ju lodhin më shumë, nëse keni hollim të kofshëve, ecni ngadalë dhe e keni të vështirë të mbani çantat, këto janë shenja që duhen vërejtur. Edhe qëndrimi me një këmbë, për të mbajtur veten, është një tregues. Në karrige, rrini ulur, kryqëzoni duart dhe ngrihuni pa ndihmën e tyre. Ky është një matës.

“U bë një studim te moshat 60 vjeç, të cilat qëndruan në shtrat për dhjetë ditë, dhe rezultoi se humbën masë muskulore. Njerëzit nuk duhet vetëm të ecin, por duhet të bëjnë edhe pak rezistencë, të kryejnë aktivitet fizik më të mirë. Të bëjmë ulje-ngritje në karrige”, theksoi Joka.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha