Mbledhja e grupit të PD
Buxheti dhe paketa fiskale e 2027
Të enjten, Kuvendi do të miratojë nen për nen dhe në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale të 2027.
24 orë para mbajtjes së seancës maratonë, Partia Demokratike propozon 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.
“Amendamentet e përgatitura dhe të firmosura nga deputetët e Partisë Demokratike, me të cilat grupi parlamentar transformon, përmbys, kthen buxhetin nga drejtimi i hajdutëve në drejtim të qytetarëve”, tha Berisha.
Pagat, pensionet dhe TVSH-ja
28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.
Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.
Shifrat kryesore të buxhetit
Buxheti i vitit 2027 kalon për herë të parë shifrën e 10 miliardë eurove në shpenzime. Të ardhurat parashikohen në 907,9 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike në rreth 4%. Ai u miratua në parim mes debatesh pa votat e opozitës më 18 nëntor, ndërsa bashkë me të do të votohet edhe paketa fiskale që përfshin ndryshime në pesë ligje tatimore.
28 amendamentet e PD:
- Pezullimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës.
- Trefishimi i fondeve për ish-të përndjekurit politikë.
- Shkurtimi me 20% i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore.
- Rritja me 30% e pagave në sektorin e shëndetësisë.
- Ulja në 6% e TVSH-së për ujin.
- Ulja në 6% e TVSH-së për energjinë.
- Realizimi i dy projekteve të investimit në infrastrukturën rrugore në qarkun e Beratit.
- Alokimi i 5 miliardë lekëve për kompensimin e prodhuesve si pasojë e zhvlerësimit të euros.
- Vendosja e minimumit jetik në masën 20 mijë lekë në muaj.
- Alokimi i 5 miliardë lekëve për fillimin e shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella në sektorin e energjisë.
- Rritja me 50% e transfertës së pakushtëzuar.
- Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Shkodër.
- Alokimi i 1 miliard lekëve për përballimin e pasojave të përmbytjeve në Lezhë.
- Rritja e pensioneve dhe vendosja e një bonusi që përfaqëson një rritje reale, të drejtë dhe të përhershme.
- Dyfishimi i ndihmës ekonomike.
- Rritja e financimit për kërkimin shkencor në nivelin 0,1% të PBB-së.
- Rritja me 30% e pagave në sektorin e arsimit.
- Dyfishimi i fondit për rimbursimin e barnave.
- Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për arsimin.
- Anulimi i rritjes së TVSH-së në 21%, duke ruajtur normën ekzistuese prej 20%.
- Trefishimi i subvencioneve për sektorin e bujqësisë.
- Pezullimi i pagesave për çdo PPP me financim nga buxheti i shtetit.
- Anulimi i rritjes së taksës vjetore të automjeteve.
- Rritja me 1 pikë përqindjeje të PBB-së e buxhetit për shëndetësinë.
- Vendosja e një takse të sheshtë për fitimin dhe pagat, si dhe anulimi i rritjes së taksës mbi dividendin.
- Rritja me 30–50% e pagave për të gjithë administratën publike.
- Ndërprerja e plotë e financimit të koncesionit të laboratorëve.
- Për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
4 paketat e PL
- Rinia- 7 miliardë lekë shtesë për arsimin dhe shkencën.
- Made in Albania- 167 milionë euro për bujqësinë, 5,6 milionë për mbrojtjen e konsumatorit dhe ruajtje e pragut të TVSH-së.
- Emergjencat Civile dhe Siguria- 35% rritje page për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve.
- Paketa Sociale- 7,5 miliardë lekë shtesë për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, 3,5 miliardë për Onkologjikun.
Burimi: shqiptarja.com










