Dhëndrri Jamarbër Malltezi adresoi sërish sulme ndaj SPAK, ku ishte thirrur për t’u marrë në pyetje lidhur me kallëzimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Pas dëshmisë, ai nisi me të njëjtën akuzë ndaj SPAK: se ka mbrojtur gjyqtaren dhe ka tentuar ta mbyllë dosjen.
“SPAK tentoi ta mbyll çështjen ndaj Irena Gjokës, por ishte gjykata që e detyroi SPAK të bëjë hetime. Dhe në javët e fundit u kujtuan për të marrë dëshmitë. Irena Gjoka u mbrojt në këtë proces të turpshëm nga ata që duhej të respektonin ligjin”, tha Malltezi.
Por një protestuese i ktheu fjalët në drejtim tjetër. Ndërsa Malltezi mbante deklaratën, ajo i kujtoi çështjen “Partizani”, ku ai është i pandehur bashkë me vjehrrin, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ajo e “këshilloi” Malltezin që të mos merret më me punët e SPAK, por të japë llogari për çështjet në të cilat ai vetë është i përfshirë.
“Jeni në SPAK për të dhënë llogari për atë që jeni i përfshirë, jo për atë që ata brenda bëjnë. Jeni edhe ju pjesë”, tha protestuesja.
Burimi: shqiptarja.com










