Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Gazmend Leka sjell simbolikën e flamurit kombëtar në GOCAT

Gazmend Leka sjell simbolikën e flamurit kombëtar në GOCAT
Foto: kultplus.com

Piktori Gazmend Leka u takua me studentë të Universitetit të Arteve për një bisedë mbi procesin krijues, simbolikën dhe interpretimin e veprave të tij.

Takimi u zhvillua me studentë të Atelierit të Grafikës, në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT), ku studentët shoqëroheshin nga pedagogu i tyre Ardian Isufi. Bisedat u zhvilluan në kuadër të ekspozitës “Nostratempus” të Gazmend Lekës, e cila merr vlerë të veçantë në prag të festave të 28 dhe 29 nëntorit, pasi ka një trajtim artistik të veçantë të flamurit shqiptar përmes veprës “Geni ynë i shkruar në kuq e zi”. Në krijimet e Lekës, ngjyrat e flamurit ndërthuren me identitetin kombëtar, rrënjët dhe kujtesën kolektive.

Ekspozita dhe cikli “Nostradamus”

“Nostratempus” kurohet nga Ardian Isufi dhe Ardian Kapo, dhe sjell në dialog të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pjesë e ekspozitës është edhe cikli “Nostradamus”, i prezantuar për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1999. Tridhjetë e një kuti përfaqësojnë ditët e korrikut dhe pritjen e një katastrofe, ndërsa një datë e imagjinuar, 32 korriku, shndërrohet në simbol të shpresës dhe të mundësisë për një fillim të ri.

Në ditët kur shqiptarët përkujtojnë historinë dhe simbolet e tyre kombëtare, “Nostratempus” ofron një mënyrë tjetër për të reflektuar mbi identitetin, trashëgiminë dhe atë që u përcjellim brezave të ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha