Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se të enjten, në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Ushtrisë së Serbisë.
Sipas komunikatës, takimi u mbajt në kampin “Film City”.
Marrëveshjet ekzistuese dhe bashkëpunimi
KFOR thekson se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të jenë një kornizë e qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim.
“Përmes JIC-së, KFOR-i dhe Forcat e Armatosura të Serbisë mbajnë marrëdhënie të bazuara në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke mundësuar komunikim transparent dhe në kohë për çështjet që lidhen me “Vijën Kufitare Administrative (ABL)” (siç i referohen ata kufirit Kosovë-Serbi), dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA).”
KFOR ka ritheksuar se mbetet plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij, të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, në mënyrë të paanshme.
Takimet e mëparshme me ushtrinë serbe
KFOR mban takime të rregullta me ushtrinë e Serbisë, por vizitat kryesisht kryhen në Beograd nga Komandanti i KFOR-it. Një vizitë e gjeneralit serb Ljubiša Diković në Prishtinë, më 1 gusht 2014, kishte shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
Burimi: insajderi.org









