“Sanxingdui: Future Past”, një film fantastiko-shkencor i krijuar tërësisht me inteligjencë artificiale, ka arritur në kinematë kineze, por deri tani nuk ka tërhequr publikun. Pavarësisht teknologjisë së përdorur dhe synimit për të treguar të ardhmen e industrisë filmike, produksioni ka arkëtuar vetëm rreth 250 mijë euro, krahasuar me koston prej afërsisht 1.4 milionë eurosh.
Filmi, me kohëzgjatje 100 minuta, tregon historinë e një astronauti që udhëton më shumë se 3 mijë vjet në të kaluarën, në kohën e qytetërimit Sanxingdui, për të shpëtuar njerëzimin nga një superinteligjencë artificiale. Edhe pse disa skena futuriste janë vizualisht mbresëlënëse, shprehjet artificiale të personazheve dhe skenari i paqartë kanë ndikuar negativisht në pritjen e tij nga publiku.
Sipas një artikulli të gazetës gjermane taz, dështimi i filmit nuk do të thotë se inteligjenca artificiale ka dështuar në industrinë e kinemasë. Përkundrazi, Kina po kalon një transformim të shpejtë në këtë fushë. Tetë nga dhjetë modelet më të avancuara për gjenerimin e videove nga teksti janë kineze, sipas AI Index 2026 të Universitetit Stanford.
Microdramat dhe ndikimi në prodhim
Ndikimi i kësaj teknologjie është veçanërisht i dukshëm te të ashtuquajturat microdramas, seriale me episode një deri në dy minuta, të krijuara kryesisht për telefonat celularë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit janë prodhuar mbi 210 mijë episode të tilla, dhe disa prej tyre kanë arritur qindra miliona shikime.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshon edhe mënyrën e prodhimit. Sipas artikullit, një skenë aksioni treminutëshe mund të realizohet për më pak se 4 mijë euro, në vend të rreth gjysmë milioni eurosh që do të kushtonte një produksion tradicional. Kjo ulje kostove, megjithatë, shoqërohet me më pak vende pune dhe paga më të ulëta për aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë filmike.
Një nga përfituesit kryesorë të këtij zhvillimi është kompania ByteDance, pronare e TikTok-ut, e cila zotëron platformën Hongguo për mikrodrama dhe modelin Seedance për gjenerimin e videove. Ky i fundit u përdor edhe në realizimin e “Sanxingdui: Future Past”, por studiot e mëdha të Hollivudit e kanë kritikuar për përdorimin e mundshëm të materialeve filmike pa autorizim.
Reagimi i publikut
Publiku nuk duket se e pret këtë ndryshim pa reserva. Artikulli përmend suksesin e filmit të animuar me buxhet të ulët “Niu Lai”, i cili, ndryshe nga përsosmëria vizuale e prodhimeve me inteligjencë artificiale, mbështetet në animacion të thjeshtë dhe personazhe jo të përsosur. Ky film ka arkëtuar rreth 38 herë më shumë se “Sanxingdui: Future Past”.
Pavarësisht rezultateve të dobëta në kinema, producentët në Kinë po përgatisin projekte të tjera me inteligjencë artificiale, ndërsa një film i tillë pritet të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara në dhjetor. Debati nuk lidhet më vetëm me mundësitë teknologjike, por edhe me të ardhmen e aktorëve, krijuesve dhe vetë artit të filmit në një industri që po ndryshon me shpejtësi./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










