Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit. Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të lartë shtetëror, përfaqësues të institucioneve korrektuese dhe zyrtarë policorë.
Mesazhet e zyrtarëve
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë këtij institucioni. Ajo theksoi se përgjegjësi e re e tij është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, raporton KosovaPress.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se gjatë këtyre viteve shërbimet korrektuese të Kosovës kanë shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit.
Kurti theksoi se mbrojtja e të drejtave të të burgosurve dhe të paraburgosurve nga SHKK është dëshmuar përmes vlerësimeve të ndryshme.
“Natyrisht që burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë. I burgosuri apo i paraburgosuri e humbet lirinë por asnjëherë të drejtën. Të cilët mbrohen e respektohen nga të gjithë ne bashkë dhe nga secili prej jush, pavarësisht nga funksioni që përfaqëson. Ky progresi i madh i shërbimit të Kosovës dhe Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të çmuara”, tha Kurti.
Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se SHKK ka dëshmuar profesionalizëm dhe integritet.
Investimet dhe mirënjohja
Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, shprehu mirënjohjen ndaj zyrtarëve korrektues dhe stafit civil.
Dibrani tregoi investimet e bëra në këtë institucion gjatë viteve të fundit, duke theksuar modernizimin e infrastrukturës, investimin në teknologji dhe avancimin e sistemit të sigurisë.
Burimi: pressonline.al










