Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të zhvillojnë të enjten në Berlin takime me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues evropianë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Në fokus do të jenë garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës dhe plani për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Sipas një****, bisedimet do të synojnë gjithashtu përgatitjen e raundit të ardhshëm të negociatave shumëpalëshe.
Fokusi i takimeve në Berlin
“Takimet në Berlin do të fokusohen në zhvillimin e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën pas luftës, avancimin e një plani gjithëpërfshirës për rimëkëmbjen ekonomike dhe përgatitjen e raundit të ardhshëm të negociatave shumëpalëshe. Ekipi amerikan po komunikon disa herë në ditë me partnerët ukrainas dhe evropianë, në përpjekje për të avancuar propozime për një paqe të qëndrueshme.”- u shpreh një zyrtar amerikan.
Uashingtoni po mban kontakte të vazhdueshme me Kievin dhe partnerët evropianë për të avancuar propozime që mund të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme.
Negociatat e mëparshme dhe pikat e mosmarrëveshjes
Takimet në Berlin vijnë pas negociatave të zhvilluara javën e kaluar në Abu Dhabi, ku përfaqësues të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së u ulën në tryezë për herë të parë pas nëntë muajsh. Më pas, Witkoff dhe Kushner zhvilluan një takim edhe me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Megjithatë, palët mbeten larg një marrëveshjeje, pasi Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë nga Donbasi, ndërsa Kievi kundërshton lëshimin e territoreve.
Burimi: shqiptarja.com










