Nuk mund të ketë një Jaltë të dytë për Europën. Ky ishte mesazhi që dha Kancelari gjerman Friedrich Merz gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Berlin, krah për krah me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrin britanik Andy Burnham. Merz, i cili pas takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve me krerët e 40 liderëve evropianë, përfshirë edhe Shqipërinë, deklaroi se Perëndimi dëshiron paqe, por nëse diçka e tillë nuk ndodh, ndihmat ndaj Ukrainës nuk do të ndalen.
Mesazhi i Merz për Berlinin dhe Jaltën
“Një konferencë Jaltë nuk do të sjellë paqe. Është njësoj si Muri i Berlinit, që dikur ndante vendin tonë, ndante Evropën dhe ndante edhe botën. Është e njëjta gjë që përfaqëson një tjetër Konferencë e Jaltës. Rënia e Murit të Berlinit solli demokracinë dhe bashkimin tonë. Nuk duam të jetojmë në një Evropë të ndarë, por të bashkuar. Kemi rënë dakord t’i japim suport maksimal Ukrainës vitin e ardhshëm, sepse siguria e saj është siguria jonë. Duam ta mbyllim këtë luftë dhe të bashkëjetojmë në paqe me Rusinë, por Rusia duket se duhet të kuptojë se duhet të ulë armët.”
Zelensky: garancitë e sigurisë
Presidenti Zelensky deklaroi se Ukraina është serioze në negociatat për paqe dhe kërkoi diçka të ngjashme edhe nga Rusia, duke theksuar se ushtarë të pafajshëm po vriten në front.
“Së bashku duhet të garantojmë që nuk po humbasim kohë, sepse ukrainasit po vdesin. Folëm për garancitë e sigurisë, dhe për Ukrainën garanci sigurie janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkimi Evropian. Kemi folur për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”
Trump dhe konfirmimi amerikan
Presidenti amerikan Donald Trump telefonoi në sallën e Berlinit, ku po zhvilloheshin bisedimet e Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën, pas vizitës së tij në Kinë, për të informuar aleatët perëndimorë mbi bisedimet e tij me Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Trump garantoi Evropën se nuk do të ketë vendimmarrje pa përfshirjen e Evropës mbi këtë çështje. Detajet mbi këtë takim nuk u bënë publike.
Këtë konfirmim e dha Jared Kushner, dhëndri i tij dhe i dërguari i SHBA për bisedimet me Evropën, i cili tha se Amerika sheh tashmë një Evropë shumë të fortë dhe të unifikuar për Ukrainën:
“Kemi parë një Evropë të bashkuar dhe të fortë në mbështetjen për Ukrainën. Presidenti Trump na telefonoi dhe na dha një mesazh se do angazhim agresiv për të arritur këtë paqe dhe duhet të punojmë bashkë për ta arritur atë. Do të punojmë ngushtë me liderët që përbëjnë grupin negociues. Nuk duam të imponojmë asgjë, do të konsultohemi me Ukrainën dhe Evropën për çdo hap, pasi kjo është ajo që ka kërkuar Presidenti Trump.”
Vendi i Europës në tryezën e negociatave
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se e kanë bindur Rusinë që Evropa të ketë një vend në tryezën e bisedimeve të paqes, sa i përket luftës në Ukrainë. Në samitin e Dublinit, Bashkimi 27-anëtarësh deklaroi se Evropën do ta përfaqësonin Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia, ndërsa në këtë tryezë do të ketë edhe një vend për Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi: abcnews.al









